Ditët e nxehta shtojnë ankthin! Mjekët rekomandojnë mënyrën e trajtimit të personave me probleme

05/07/2022 19:57

Stina e verës me temperaturat e larta rëndon prikozat dhe shton rastet me ankth, thonë mjekët psikiatër, të cilët na këshillojnë si të ruhemi, dhe si duhet të sillet komuniteti me personat që  vuajnë probleme të shëndetit mendor.

“Vetë vapa shkakton ulje të fuqisë dhe energjisë tek secili prej nesh. Por më shumë e ndjejnë pacientët tanë. Dhe ata këtë rënie të fuqisë, dhe gjithë këtë plogështi, ia adresojnë medikamenteve. Ndaj në këtë periudhë tentojnë të bëjnë ulje të dozës së ilaçeve apo edhe t’i ndërpresin fare ato.

Ne si mjekë rekomandojmë ulje të dozave të antipsikotikëve, në momentet e vapës dhe nxehtësisë, pasi ato shkaktojnë një ulje të tensionit, por kjo bëhet e monitoruar. Duhet monitoruar gjithmonë nga mjeku, lëvizja e dozave, sepse ka disa problematika të shëndetit mendor që nga nxehtësia rëndohen më shumë, dhe aty jemi të detyruar të përdorim doza të larta të antipsikotikëve. Prandaj gjithçka bëhet nën kujdesin e mjekëve dhe me këshillat e mjekëve.

Tek të rinjtë përdorimi I substancave narkotike, përdorimi i pijeve alkoolike, kafetë, qëndrimet e gjata në orët e vona në koncerte apo disko, kanë bërë që të shfaqin problem të shëndetit mendor, kryesisht ankthi, atak paniku dhe çrregullime gjumi.

Diagnoza më e shpeshte gjatë verës është ankthi. E hasim duke filluar nga adoleshentët  dhe të rinjtë, por edhe tek moshat e treta. Por më tepër është tek të rinjtë. Por ankthi nuk përbën rrezik për të tjerët. Psikozat janë ato që përbëjnë rrezik për shoqërinë, sepse një person që vuan nga probleme të shëndetit mendor me psikozë, mund të bëjë sjellje të dhunshme, deri në sjellje fatale.

Në përgjithësi komuniteti i bullizon pacientët që vuajnë problem të shëndetit mendor. Dhe ata e ndjejnë këtë bullizim, ndaj në shumë raste izolohen vetëm nga frika se dikush mund t’i ngacmojë. Kjo vjen edhe nga sëmundja, por në shumicën e rasteve ata bullizohen nga banorët e lagjes ku jetojnë, veçanërisht nga fëmijët.

Prandaj duhet shumë kujdes në momentet që një person me problem të shëndetit mendor bullizohet, ai mund të kryejë edhe vepra penale. Agresiviteti I tij shkon në shkallën që pastaj nuk arrin ta kontrollojë sjelljen e deri në fatalitet.”- tha Valentina Asabella, Mjeke Psikiatre

Top Channel