Çmimet e ulëta po penalizojnë prodhuesit e shalqirit, fermerët: Nuk po shesim

05/07/2022 19:45

“Shiko çfarë po ndodh këtu, shalqiri është super i mirë dhe vjen ora që nuk marrim dot as lekët tona. “-tha fermeri Vukel Beqiri.

Ky është Vukel Beqiri, një dekadë më parë ai u kthye nga emigrimi për të mbjellë shalqi në fshatin Imësht të Lushnjës. Edhe pse prodhimi është I mbarë, problem për të gjetja e tregut.

” Unë kam mbjellë 25 dynym shalqi vijnë dhe tallen tregtarët, nuk e di se çfarë loje po bëjnë ata. Shalqinin me 100 lekë dhe s’po e merr njeri fare.”- tha fermeri Vukel Beqiri.

Që nga fillimi i sezonit çmimi më i lartë për shalqirin e kësaj zonë ka qenë 120 lekë.  Fermerët thonë se janë pikat e grumbullimit ato që vlerësojnë pak mundin e bujkut.

” Për 10-15 vjet ne kemi pas treg shumë të mirë, por që kur u hapën këto pikat na e ulin dhe ngrejnë çmimin. E marrin pa lek dhe kur t’ja vënë ata çmimin tani.”  Unë kam shitur 4 ton kam për të shitur edhe 1500 ton. Për këtë vit jemi të gjithë të falimentuar jemi mos o zot.”- tha fermeri Saba Derka.

Për të shpëtuar nga falimenti, fermerët kanë vetëm një lutje për tregtaët e mëdhenj, ata duan që djersa e tyre vlerësohet 100 lekë më tepër.

” Unë këtu kam hedh 15 milion lekë të vjetra, dhe kështu nuk marr as gjysmat e lekëve. Shpenzimet nuk i marr dot, plus që tokën e kemi mbjellë me kredi.  Me shpenzimet që janë sivjet të jetë 200 lekë kilogrami, sepse çdo gjë e kemi marrë shtrenjtë.”- tha fermeri Vukel Beqiri.

E ndërsa fermerët I luten grosistëve, edhe këta të fundit kanë një kërkesë për qeverinë.

” Kemi problem sepse na është bllokuar rruga të shtunën dhe të dielen nuk eksportojnë dot. Shoferat nuk nisen se thonë se marrin gjoba sepse nuk duhet të rëndojmë trafikun për turizmin. të paktën të na lënë të udhëtojmë natën se po kalbet shalqiri në hambar.”- tha Regont Beqir, eksportues.

Pavarësisht stinës, kërkesa e fermerëve shqiptarë mbetet e njëjta, të rritet cmimi i prodhimeve bujqësore vendase.

 

 

Top Channel