Peticion për ankimimin e provimeve, nisma për të shfuqizuar rregullin që pengon rishikimin e notës

02/07/2022 15:05

Pas rezultateve të provimeve, maturantët kanë të drejtë të kërkojnë testin e korrigjuar, por sipas rregullores së maturës nuk u lejohet rivlerësimi.

Por kjo është antikushtetuese për avokaten Gentiana Qendro, ndaj ajo ka nisur një peticion ku kërkon shfuqizimin e pikës 11 të nenit 26 të rregullores dhe penalitete për korrigjuesit që kanë gabuar, të cilët në këtë mënyrë ndëshkojnë, sipas saj pa të drejtë, të ardhmen e të rinjve për të mos ndjekur studimet universitare atje ku duan.

“Ngrihet pyetja pse na jepet ky test për ta parë? Për të parë padrejtësitë që ju bëhen fëmijëve tanë. E kthejmë në anën ligjore, po flas si avokate tani. Korrigjimi është një akt administrativ, nëse i referohemi kodit të procedurave administrative, çdo akt pavarësisht nga cili organ del janë akte të cilat çdo person që preket prej tyre ka të drejtë ta ankimojë, ndërsa nxënësve në këtë rast maturantëve nuk ju jepet kjo e drejtë. Si dhe një e drejtë tjetër kushtetuese që ju shkelet përsëri nga korrigjimi i gabuar: e drejta për arsimim”.

Qendra e shërbimeve arsimore hap aplikimet për të marr kopjet e testit nga data 1 deri në 3 korrik përmes e-albania dhe në duart e maturantëve duhet të jetë brenda 25 ditëve. Por kjo procedurë nuk vlen thekson avokatja e shqetësuar, për sa kohë është hequr e drejta e rikorrigjimit!

“Mundet të jem e vonuar për vajzën e them këtë sepse është koha shumë e shkurtër, pas dy tre javësh nisin aplikimin për universitet me 10 degët që ata dëshirojnë, por e bëj dhe për fëmijët e tjerë, për brezat që do të vijnë më pas. Nuk duhet të ekzistojë kjo padrejtësi”.

Pas zhgënjimit që avokatja pësoi në vitin 2016 me notën në lëndën e kimisë së vajzës së madhe, historia është përsëritur këtë maturë me vajzën e vogël e cila është vlerësuar me notën 8.25 në gjuhë letërsi edhe pse sipas saj përgjigjet janë të sakta bazuar te çelësi I përgjigjeve, por që rikorrigjimi nuk i lejohet.  Për këtë arsye, përtej të qenurit prind i pafuqishëm Gentiana në rolin e avokates do të vijoj betejën ligjore për të ndryshuar rregulloren e maturës shtetërore duke rikthyer të drejtën e rivlerësimit.

 “Nëpërmjet këtij peticioni do të kërkoj që të shfuqizohet ky nen, duke i kërkuar ministrisë së arsimit, këshillit të ministrave dhe në rast se do të jetë e nevojshme edhe deri në Gjykatën kushtetuese. 

Nuk kërkoj vetëm të rikorrigjohet testi i vajzës sime por që të ndryshohet kjo rregullore. Dhe prindërit e shkretë, mes tyre dhe unë do bëjmë të pamundurën që ti japim fëmijës sonë më të mirën. Por pse mos t’ia japim këtu, pse të jemi ne ata që t’u themi fëmijëve: Largohuni nga ky vend”.

 

 

Top Channel