Liderët e NATO-s pritet që të arrijnë pajtueshmëri për një përforcim të madh të aleancës në krahun lindor, kur të takohen sot në Madrid.

Ukraina është lart në agjendën e liderëve të NATO-s, të mbledhur në Madrid për samitin e aleancës ku pritet ndryshime të mëdha, ndoshta më të mëdha që prej Luftës së Ftohtë sipas analistëve të huaj.

Shenja e parë e tyre mbërriti me deklaratën e sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg se forca e reagimit të shpejtë të aleancës do të pësonte një rritje dramatike, nga 40  mijë në 300 mijë trupa.

Qëllimi është të forcohet krahu i saj në Europën përmes një grumbullimi masiv ushtarësh brenda një kohe shumë të shkurtër, teksa diskutohet edhe mundësi për t`i dërguar edhe më shumë ndihmë ushtarake Kievit.

Stoltenberg: Unë pres që liderët ta pohojnë hapur se Rusia përbën një kërcim direkt në drejtim të sigurisë tonë, e kjo sigurisht të reflektohet në të gjithë konceptin strategjik. Ky takim i yni vjen në mesin e krizës më të rëndë të sigurisë me të cilën jemi përballur që prej Luftës së Dytë Botërore. Qëllimi i tij është forcimi i aleancës, pas pushtimit rus në Ukrainë.

Ky vendim përbën “ndryshim themelor në parandalim dhe mbrojtje”, theksoi Stoltenberg, i cili e kishte pohuar më herët se vendimet e këtij samiti do të bëjnë rishikimin më të thellë të politikave për mbrojtje prej Luftës së Ftohtë.Lufta në Ukrainë ka krijuar një atmosferë të re brenda aleancës perëndimore, pas disa viteve mospajtimesh të brendshme dhe rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës.

Në 2019-tën, presidenti francez Emmanuel Macron befasoi me deklaratën e tij të hapur se  NATO-ja po përballej me “një vdekje të trurit”, dhe shumë dilemma rrethonin rrugën që po merrte aleanca.

Lufta në Ukrainë i dha një kuptim të ri ekzistencës së saj, dhe ka ndikuar që tashmë theksi të vihet te qëllimi kyç i aleancës: mbrojtja kolektive.

Top Channel