Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat e bën sistemin kompleks dhe godet shtresën e mesme.

Të këtij mendimi janë ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve edhe me ndryshimet e reja, pesha bie sërish mbi punën dhe të vegjlit duke përfshirë në skemën e taksimit profesionet e lira që ofrojnë shërbime.

“Qeveria gjithmonë tenton që të bëjë ndryshime ku impakti i tyre buxhetor është i vogël. Nga një anë kemi individë të cilët janë aksioner kompanish ku sërish dividenti është 8% dhe nga ana tjetër shtresa e mesme e qeverisë dhe kontributi i tyre është i madh në ekonomi dhe krijohen kosto shtesë mbi to”, tha  Majlind Lazimi, ekspert për ekonominë.

“Një reformë që të quhet e tillë duhet të ketë një ndryshim jot ë jetë një përsëritje, unë mendoj se është më mirë ligji i vjetër sesa ligji i ri për sa kohë nuk sjell ndryshim të pritshëm. Duhet sikur është përsëritje sa i përket taksimit se i mëshon prapë punës”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert për çështjet fiskale.

Mundësitë për evazion janë të mëdha vlerësojnë ekspertët, pasi subjektet për t’iu shmangur taksave të larta do të tentojnë të gjejnë forma për të paguar më pak ndaj shtetit.

“Ne synojmë gjithmonë që ato që kemi në sistem, pra ata që janë të formalizuar mundohemi që t’i shtojmë barrën e tyre fiskale, e kundërta duhet të ndodhë për të afruan në system njerëz të tjerë të paformalizuar. Nga një anë qeveria kërkon fiskalizimin, të zgjerojë barrën e tatimpaguesve po nga ana tjetër të gjitha këto iniciativa për të rritur kostot qoftë edhe individët në këtë rast, padyshim që nuk ndikon në rritjen e formalizimi, përkundrazi krijon shtigje për evazion”, tha Majlind Lazimi, ekspert për ekonominë.

Eksperti për çështje fiskale, Eduart Gjokutaj thotë se barra duhet të zhvendoset te të pasurit dhe të taksohet kapitali.

“Anashkalon taksimin e kapitalit. E kanë zëvendësuar me një fjalë që e quajnë investime, investimi ka tjetër kuptim dhe kapitali është tjetër gjë. Duke i mëshuar punës, do vazhdojmë të marrim më shumë nga puna duke favorizuar më shumë kapitalet, sepse është lehtësuar në gjithë këto vite”, tha Gjokutaj.

Receta për më shumë të ardhura në buxhet thotë Majlind Lazimi është një sistem i thjeshtë tatimor dhe një barrë më të ulët fiskale.

 

 

 

 

 

Top Channel