Veliaj takim me Susan Goeransson: Tirana qytet në zhvillim, bashkëpunim për kthimin e Bregut të Lumit në park linear me pemë

24/06/2022 14:19

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për të cilët tha se janë “aleatët e Tiranës në ditë të vështira”.

Veliaj theksoi disa investime që Bashkia e Tiranës po kryen në bashkëpunim me BERZH-in. Ai dha lajmin e mirë për kthimin e zonës së Bregut të Lumit në një park linear, si vijim i projektit të Pyllit Orbital.

“Kemi identifikuar zonën e Bregut të Lumit për ta kthyer në një park linear me pemë, por ndërkohë jemi në hapat e fundit për përfundimin e skemës së financimit të pjesës së Pyllit Orbital, që përshkon lumin e Tiranës. Ky projekt do të ketë jo vetëm funksionin e parandalimit dhe fortifikimit për pëmbytjet, rrëshqitjet dhe problematikat që i kemi zgjidhur te Bregu i lumit, por e kthen lumin e Tiranës në një shëtitore. Aty ku ka gjelbërim, parqe dhe korsi biçikletash vlera e pronës rritet sepse të gjithë duan ta kenë shtëpinë aty pranë”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se investimet e tjera, në bashkëpunim me BERZH-in, kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ujit në qytet, si dhe përmirësimin e transportit publik.

Drejtoresha për Infrastrukturën në BERZH, Susan Goeransson, tha se Tirana është një qytet që ka ide të mira për investime.

“Tirana është pjesë e familjes së qyteteve të gjelbra, prandaj ne i kthejmë sytë gjithmonë këtej për ide të mira. Sot patëm një takim fantastik, duke diskutuar mbi mënyrat sesi mund të punojmë për projektin e Pyllit Orbital, përmirësimin e transportit dhe përmirësimin e cilësisë së ujit. Jemi të kënaqur që punojmë me kryebashkiakun dhe skuadrën e tij”, përfundoi ajo.

Top Channel