“U mallëngjeva kur pashë si festonin lirinë”/ James Baker kujton fjalimin e korrikut 1991 para 300 mijë shqiptarëve në shesh

24/06/2022 13:48

Mbi 300.000 shqiptarë mbushën sheshin “Skënderbej” në 22 Korrik të vitit 1991 për të dëgjuar fjalimin e sekretarit amerikan të shtetit James Baker.

Një ngjarje e cila ka hyrë në historinë e Shqipërisë post komuniste për peshën dhe rëndësinë që kishte vizita pikërisht në atë kohë.

“Ishte vizita e parë e një sekretari shteti amerikan në vendin e vogël të Ballkanit nga ku lumi i njerëzve në shesh brohoriste USA USA” do të shkuante New York Times në faqen e parë një ditë më pas.

Për sekretarin Baker, kjo ishte pritja më e jashtëzakonshme në të gjithë karrierën e tij, të cilën përmes një video mesazhi për 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, e rikujton me plot emocion sot 31 vite më pas.

“Marrëdhënia e Amerikës me Shqipërinë, në shumë mënyra, është një nga më të fortat që vendi im ka. Ajo marrëdhënie, sigurisht, bazohet në besimin e palëkundur dhe bindjen në idealet demokratike që udhëheqin të dyja vendet tona. Si amerikanët ashtu edhe shqiptarët mbështesin vetëqeverisjen ndaj dorës së fortë të autoritarizmit. Këtë e them me bindje, sepse isha personalisht dëshmitar se si Shqipëria e festoi lirinë më 22 qershor 1991. Atë ditë, unë u bëra zyrtari i parë i lartë amerikan i cili vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të detyruar të vendit, që filloi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi deri në fund të Luftës së Ftohtë. Teksa qëndroja në Tiranë, mbi një skenë të improvizuar prej druri, përpara 300 mijë shqiptarëve, u mallëngjeva se si njerëzit e mbledhur iu përgjigjën fjalëve të mia të thjeshta: “Liria funksionon”. Ata u përgjigjën: “USA, USA, USA”!

Sekretari Baker vëren se që nga ajo kohë, marrëdhëniet midis Amerikës dhe Shqipërisë janë forcuar dhe kanë përparuar.

Shqipëria ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për hapjen e ekonomisë së saj dhe për të ofruar mundësi për të gjithë qytetarët e saj. Ndërsa Amerika ka pasur një aleate të palëkundur në përpjekjet për siguri rajonale dhe globale, sidomos si një anëtare e fortë e NATO-s. Marrëdhënia jonë është veçanërisht e rëndësishme gjatë kërcënimit ta tanishëm kundër Ukrainës. Në 100 vjetorin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, dua t’ju uroj për përparimin që Shqipëria ka bërë drejt ndërtimit të një bote më të mirë dhe më të sigurt për veten dhe fqinjët e saj.

Këtë video mesazh sekretari Baker e mbull me fjalët: “Mbi të gjitha, dua t’i përgëzoj që janë të përkushtuar ndaj besimit se liria vërtet funksionon”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA