Art në hapësira publike/ Qeveria jep 200 milionë lekë për vendosjen e tyre përgjatë rrugëve nacionale

24/06/2022 15:30

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti prezantuan sot një nga nismat më të reja të Qeverisë Shqiptare, “Art në Hapësira Publike”.

Një nismë shumëplanëshe, ka tashmë të akorduar një fond prej rreth 200 milionë lekësh.

Janë identifikuar 18 hapësira publike që do të plotësohen me vepra arti.

Ato shtrihen nga Veriu në Jug dhe nuk bëhet fjalë vetëm për sheshe, por edhe rrethrrotullime, institucione publike apo mbikalime, si dy rreth rrotullime në Koplik, dy në Bajzë, Divjakë, Grabian, Kavajë, mbikalimi te “Plepat”, mbikalimi te “Pallati me shigjeta”, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” etj.

“Patjetër që programi ka edhe qëllimin dhe shpresoj edhe efektin e stimulimit të skenës artistike edhe të mbështetjes së vet aktorëve, protagonistëve të kësaj skene artistike dhe në fund fare, unë kam shumë besim që me përfshirjen e artistëve që kanë talentin edhe kanë profesionalizmin e duhur, impakti në hapësirën publike dhe në të gjitha ato pika që rrihen nga shumë sy dhe janë në mes te njerëzve do të jetë i rëndësishëm”, tha Edi Rama.

Konkursi hapet sot më, 24 qershor dhe i drejtohet si artistëve vendës ashtu edhe atyre të huaj.

Çdo aplikant apo grup aplikantësh mund të paraqitet me tre projektide.

Veprat do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare, që do të ngrihet pas përmbylljes së fazës së parë të konkurrimit.

“Është lënë një kufij prej 3 projekt idesh, jo më shumë, por nuk është kufizuar vetëm tek një projekt ide për një individ apo për një grup. Koha nuk është e mjaftueshme, unë jam shumë i vetëdijshëm që koha nuk është e mjaftueshme, 45 ditë janë shumë pak, por për arsye se strukturimi i programit, vendosja e të gjithë bazave të natyrës juridike për programin kërkoi pak kohë, atëherë këtë vit do të jemi pak më të nxituar dhe pastaj për vitin e ardhshëm konkursi do të hapet pak më shpejt”, tha Rama.

Në këtë skemë do të angazhon artistë shqiptarë e të huaj të arteve pamore, arkitektë, dizajner, inxhinierë ndriçimi, etj. Qëllimi është përmirësimi i imazhit të hapësirave publike.

Kryeministri u shpreh që në të ardhmen ky projekt do të zgjerohet parë edhe mundësinë e blerjes së drejtpërdrejtë të veprave tek artistët.

Top Channel