Nga 1 korriku, ushtarakët e të gjitha gradave në vendin tonë, do të paguhen 30% më shumë, njofton ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Në 30 vite nuk ka pasur një vendim si ky, për rritjen e pagës së ushtarakëve së Forcave të Armatosura. Të gjithë ushtarakët, nga ushtari i parë deri te gradat më të larta, nga data 1 korrik do të kenë një pagë 30% më të lartë. Paga minimale në FA më shumë se 51 mijë lekë të reja, shtohen trajtimet ushqimore apo trajtime të tjera sipas vështirësive. Kemi miratuar një listë me 38 pozicione brenda Forcave të Armatosura, që marrin shtesë mbi këtë shtesë page”, tha Peleshi pas mbledhjes së qeverisë.

Shtesën më të lartë e merr struktura ushtarake e mbrojtjes kibernetike. “Përveç shtesës prej 20%, do të marrë dhe 20.000 lekë, për shkak të rëndësisë që ky domain i ri ka marrë sot në Shqipëri dhe në të gjithë botën”, shpjegon ministri.

Po ashtu, 30 milionë euro do të investohen në përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në veri të vendit. Vendimi për draftmarrëveshjen me Italinë për këtë projekt është miratuar në mbledhjen e qeverisë dhe vjen në kuadër të angazhimit të shtetit Italian në konferencën e donatorëve për të mbështetur disa projekte zhvillimore në vend.

Po ashtu, pjesë e vendimeve të mbledhjes së qeverisë ishin edhe disa ndryshime për mbështetjen me financim të universiteteve për kërkime shkencore si dhe plani i menaxhimit të integruar të Ansamblit të Pallatit të Brigadave, që parashikon ta kthejë atë së shpejti në një zonë të hapur për publikun.

Top Channel