Me dhjetëra fermerë të Çermës janë grumbulluar paraditen e sotme në formë proteste për çmimin e ulët me të cilin po shitet shalqiri.

Ata fajësojnë pikat e grumbullimit në Divjakë që sipas tyre po e ulin çmimin për shalqirin e Çermës.

Sipas tyre shalqiri i Divjakës u shit pothuajse me çmim deri në 400 lek të vjetra ndërsa shalqiri i Çermës, që ka gati një javë që ka dalë në treg nuk shitet më shume se 100 lek për kilogram.

Ndryshe nga vitet e tjera ku tregtarët nga Kosova vinin te parcelat e fermerëve këtë vit asnjë kamion nga Kosova nuk i është afruar fermerëve pasi ata shkojnë në pikat e grumbullimit.

Fermerët shprehen se kosto është shumë e lartë pasi çmimet e gjithë procesit të kultivimit të shalqirit u dyfishuan, që nga fara, plehrat, inputet, karburanti, etj.

Në mbështetje të tyre ishte dhe deputeti Erion Braçe i cili prej kohësh ka qenë zëri opozitar i qeverisë për fermerët, ku akuzoi pikat e grumbullimit dhe tregtarët që po abuzojnë me çmimet.

Me çmim 100 lek këta fermerë janë të zhytur, dhe problemi është se nuk është zhytur një individ por ekonomia më e madhe në këtë vend.

Braçe akuzon Ministrinë e Financave e cila duhet të kontrollojë të gjithë sistemin fiskal për grumbulluesit që po abuzojnë.

Zona e Çermës është një nga më të mëdha në kultivimin e shalqirit. Këtë vit në këtë zonë janë rreth 100 hektarë shalqi, i cili rrezikon të kalbet.

Top Channel