“Nuk justifikon të ardhurat”/ Fshati po dëshmon për pasurinë e tij, SPAK publikon pronat që kërkon t’i konfiskohen Shtëpënjës, i biri i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni

22/06/2022 15:26

SPAK thotë se Bektash Shtëpënja, për të cilin sot në Gjykatën e Posaçme po dëshmon i gjithë fshati Kozare, nuk justifikon të ardhurat dhe pasuritë.

SPAK  ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së Shtëpënjës, pasi djali i tij rezulton i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.

Për të justifikuar 2 shtëpitë, një garazh dhe një automjet si dëshmitarë u thirrën sot 240 fermerë të fshatit të Kuçovës. Fshatarët kanë dëshmuar se pagesën e Bektashit për korrjen e grurit dhe të mbjellat ia jepnin në dorë. Kështu, në mungesë të dokumentacionit tatimor, subjekti Andrea Dinga dhe personat e lidhur ka kërkuar në gjykatë që të ardhurat t’i provojë nëpërmjet thirrjes së dëshmitarëve, që janë titullarët e familjeve bujqësore ku ai ka punuar.

“Ka rezultuar se shtetasi shqiptar Andrea Bektash Dinga alias (Shtëpënja) alias (Prifti), është subjekt i aktit normativ, pasi me vendimin Nr. 6995/2014 datë 08 Tetor 2014 të Gjykatës së Apelit në Milano/Itali është deklaruar fajtor për veprat penale të “Emigracionit ilegal” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.  Po kështu sipas informacionit të ardhur nga Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana, ky shtetas është arrestuar në Angli për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve  narkotike”. Në këto rrethana, ky shtetas është subjekt i aktit normativ.

Nga të dhënat e administruara nga Operacioni Forca e Ligjit, rezulton se ky shtetas dhe personat e tjerë të lidhur, nuk disponojnë të ardhura të ligjshme për justifikimin e pasurive të tyre”.

SPAK ka publikuar pronat që kërkon të konfiskohen:

Pasuria e llojit Are, me sipërfaqe 1700 m2 ndodhur në Sauk, në pronësi të Bektash Hasan Shtëpënja;

Pasuria e llojit apartament, me Sip. 189.4 m4, ndodhur në Sauk Tiranë, në pronësi të Bektash Hasan Shtëpënja;

Pasuria e llojit garazh, ndodhur në Sauk Tiranë, në pronësi të shtetasit Bektash Hasan Shtëpënja;

Pasuria e llojit apartament, ndodhur në Draç Durrës në pronësi të Bektash Hasan Shtëpënja;

Mjeti i llojit autoveturë e markës Mercedez Benz, prodhim i vitit 2011 në pronësi të Bektash Hasan Shtëpënja;

Mjeti i llojit autoveturë e Markës Audi, prodhim i vitit 2005, në pronësi të Sokol Bektash Shtëpënja;

Mjeti i llojit motor i markës Harley Davidson, prodhim i vitit 2011 në pronësi të Sokol Bektash Shtëpënja;

Top Channel