Një 27-vjeçar nga Vlora kishte marrë një magazinë me qira në Tiranë për të ruajtur aty një arsenal armësh dhe municionesh.

Eno Papa (Beqiri) vinte herë pas herë në kryeqytet, ndërsa pas informacioneve se në garazhin e një pallati në rrugën “Peti”, një shtetas mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, kanë ushtruar kontroll dhe kanë sekuestruar:

2 snajpera (njëri prej tyre prodhim i viteve të fundit), 4 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri automatike, 4 armë zjarri pistoleta me silenciator, 85 pako me municion luftarak të kalibrave të ndryshëm, pjesë të ndryshme armësh, shënjestra optike për armët e precizionit (snaiper), një sasi e konsiderueshme krehra armësh, tre kallëpe tritoli, sasi lënde e dyshuar eksplozive, 2 palë portotarga elektrike për fshehjen e targave dhe 5 paruke.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së marrë me qira nga 27-vjeçari që ra në pranga, u gjetën një automjet, 3 aparate celulare, 2 laptopë dhe një pasaportë e dyshuar e falsifikuar.

Top Channel