Prostitucion në dhomat e hotelit, drogë dhe armë/ Arrestohet pronari dhe gjashtë të tjerë

21/06/2022 13:06

Një hotel në kryeqytet, në dhomat e të cilit ushtrohej prostitucion i paligjshëm është identifikuar nga policia, që ka vënë në pranga shtatë persona.

Është arrestuar pronari i hotelit, ku po ashtu shitej dhe konsumohej drogë. 52-vjeçarit me iniciale P.H. iu gjet dhe një armë zjarri, në një nga dhomat e hotelit.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Përshtatje të lokalit për përdorim droge”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Për veprën penale të prostitucionit, janë ndaluar dy gra dhe tre burra.

– I. Sh., 41 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

– M. M., 35 vjeçe dhe F. K., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prostitucioni”;

– V. B., 54 vjeçe, D. L., 35 vjeç dhe R. S., 23 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në njërën prej dhomave ku zhvillohej veprimtaria e kundërligjshme e prostitucionit, është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, shuma parash të dyshuara të përfituara nga këto veprimtari kriminale, dy aparatura DVR, dy peshore elektronike dhe katër aparate celulare, që u gjetën në ambientet e tjera të hotelit në pronësi të shtetasit P. H.

Top Channel