Kryeministrja finlandeze në Tiranë/ Sanna Marin pritet nga Rama, biseda për BE dhe NATO

21/06/2022 15:12

Këshilli Europian do të mblidhet në Bruksel në mërkurën në atë që vlerësohet si takimi më i rëndësishëm në 10 vitet e fundit.

Pritet  të vendoset për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në konferencën për shtyp me kryeministren e Finlandës, Sanna Marin, kryeministri Edi Rama, nuk shfaqi optimizëm në marrjen e një drite jeshile, nga Brukseli për nisjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri BE.

“I thashë kryeministres që unë nuk pres asgjë të re në këtë Këshill, megjithatë deri në fund, Bashkimi Europian, vendet evropiane, Finlanda përfshirë, po përpiqen me Bullgarinë për të hapur një shteg të arsyes dhe për ta çliruar procesin. Edhe për këtë ne jemi shumë falënderues”.

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, nga Tirana tha se duhet të marrin fund vonesat e BE-s.

“Ne duam t’i shohim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Europian pasi të kenë përmbushur kriteret. Përparësia jonë është të nisim negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa asnjë vonesë. Duam të mbështesim Shqipërinë për anëtarësimin e saj në BE. Shqipëria ka një zë të fortë edhe globalisht. Ne e vlerësojmë fort rolin tuaj kur bëhet fjalë për përfaqësime në forume ndërkombëtarë. Dua t’ju përgëzoj për punën e suksesshme në Kombet e Bashkuara, Këshillit e Sigurimit”.

Kryeministrja finlandeze falënderoj Shqipërinë për mbështetjen e  fortë e të qartë në mbështetje të Finlandës për tu anëtarësuar  në NATO.

 

Top Channel