Grupi legjendar i rokut “The Animals” vjen në Tiranë, nesër koncerti te Amfiteatri i Liqenit, priten nga kryebashkiaku Veliaj

21/06/2022 14:35

Grupi legjendar britanik i rokut, “The Animals”, të njohur në të gjithë botën për hitin “House Of The Raising Sun”, janë në Tiranë dhe do të performojnë nesër në mbrëmje në Amfiteatrin e Tiranës te Parku i Liqenit.

Ata u pritën në një takim nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u dorëzoi edhe simbolin e qytetit, Kullën e Sahatit.

“Ju falenderoj shumë për kontributin dhe mezi pres të kënaqemi këtë javë në Tiranë. Të mërkurën, në orën 20:00, ne do të jemi te Amfiteatri i Tiranës për të dëgjuar “The Animals”. Besoj se edhe për gjeneratën e prindërve tanë, për të cilët muzika e tyre ishte e ndaluar në regjimin komunist, do të jetë një kënaqësi e jashtëzakonshme”, tha ai.

“Ishte një kohë në Shqipëri kur nëse dëgjoje muzikë britanike, të dëgjoje “The Animals” apo “The Beatles”, shkoje në burg. Sot gjërat kanë ndryshuar. Ne festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ky është një vend i lirë, që mirëpret njerëz nga e gjithë bota dhe këtë vit jemi edhe Kryeqyteti Europian i Rinisë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Bateristi i grupit dhe një nga themeluesit e “The Animals”, John Steel, i cili rikthehet në Tiranë pas më shumë se 4 vitesh, premton se koncerti i së mërkurës do të dhurojë mjaft emocione për dashamirësit e rokut në Shqipëri. Ai thekson se Tirana ofron gjallëri dhe do të ketë një të ardhme të shkëlqyer.

Banda britanike “The Animals” ka edhe një yll në Rock and Roll Hall of Fame.

Top Channel