Aktori i Hollivudit i drejtohet Zelenskyt: Ju jeni heroi im

21/06/2022 10:13

Aktori i Hollivudit dhe ambasadori i vullnetit të mirë i Kombeve të Bashkuara, Ben Stiller e ka konsideruar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky si heroin e tij, gjatë një vizite në Kiev.

“Ajo çfarë keni bërë, mënyra si keni mobilizuar shtetin, botën, është vërtet inspiruese”, ka thënë ylli amerikan 56-vjeçar, duke iu referuar fjalimeve të Zelenskyt para parlamenteve në gjithë botën.

“Është nder i madh për mua… ju jeni heroi im”, ka thënë Stiller, i cili është emëruar ambasador i vullnetit të mirë i OKB-së më 2018.

Vizita e tij në Kiev dhe takimi me Zelenskyn janë realizuar në Ditën Botërore të Refugjatëve.

Zelensky dhe Stiller kanë diskutuar nevojat e personave të zhvendosur përkohësisht në Ukrainë dhe Poloni, të cilët Stiller i ka vizituar para se të takonte Zelenskyn.

Gjatë vizitës së tij, Stiller ka vizituar edhe lagjet e Irpinit, ku janë zhvilluar luftime të ashpra në ditët e para të luftës.

“Mendoj se është e vështirë të kuptosh se çfarë po ndodh këtu, nëse nuk keni qenë personalisht në këto ambiente”, i ka thënë ai Zelenskyt.

Të dy kanë folur edhe për karrierat që kanë pasur si aktorë komedianë.

”Ju keni hequr dorë nga një karrierë e mrekullueshme aktrimi”, i ka thënë Stiller, Zelenskyt.

“Jo aq të mirë sa e juaja”, i është përgjigjur Zelensky.

Para fitores në zgjedhjet presidenciale më 2019, Zelensky është njohur më së miri për rolin që ka pasur në një serial televiziv, ku ka luajtur rolin e një mësuesi në një shkollë të mesme./Rel

Top Channel