Vijon bojkoti i seancave gjyqësore në Gjirokastër, anulohen sot 120 gjyqe

20/06/2022 12:15

Dhoma e Avokatëve të Gjirokastrës ka njoftuar sot vazhdimin e bojkotit për seancat gjyqësore në të dy shkallët e gjyqësorit për shkak të mos reagimit të treguar ndaj kërkesave të tyre lidhur me hartën e re gjyqësore.

Ata e kanë kundërshtuar këtë projekt të ri si të pabazuar në specifikat lokale dhe si një projekt sipërfaqësor që vetëm do të rriste kostot e punonjësve të drejtësisë, do të zbalanconte zinxhirin ekonomik e do të largonte ekspertët e ligjit dhe avokatët.

Sot në Gjirokastër nuk u zhvilluan 24 seanca ndërsa përgjatë javës së kaluar u anulluan më shumë se 120 gjyqe. Kreu i Dhomës lokale Tahir Novi tha se protesta do të vazhdojë.

Avokatët në të gjitha rrethet e Jugut janë duke e kundërshuar projektin e ri të vendosjes së gjykatave duke argumentuar se nuk janë marrë parasysh trendi demografik në rritje, prania e tregut turistik si dhe disatancat gjeografike dhe kostot për banorët e skajeve të vendit.

Më parë avokatët dhe ekspertët kanë paralajmëruar ankimimin e projektit në Gjykatën Administrative si dhe pezullimin e përkohshëm të liçensave nëse projekti do të shkojë për implementim.

Sipas hartës së re gjyqësore aktive do të mbeten vetëm gjykatat e shkallës së parë në çdo qendër qarku dhe çdo shkallë tjetër e gjyqësorit do të zhvendoset në Tiranë ndërsa planifikohet një gjykatë e dytë administrative në Lushnje në funksion të Jugut të vendit.

Top Channel