Video-Vrasja për xhelozi në Korçë/ Lihen në burg tre të arrestuarit, shfaqen kokulur në Gjykatë, njëri i bie murit me kokë

20/06/2022 12:58

Gjykata e Korçës ka lënë në masën “arrest me burg” për tre të akuzuarit për vrasjen e e Martin Çeços disa ditë më parë në Maliq. 

Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj akuzohen për vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim për tu njohur me masën e sigurisë. Siç shihet edhe në videon e siguruar nga “Top Channel”, tre të arrestuarit janë kokulur, ku njëri ndër to i bie edhe murit me kokë.

Nikolla Tollkuçi, kunati i Bleti Angjos njërit prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 26 vjeçarit Martin Çeço është shprehur se nuk ka asnjë mundësi që kunati i tij të ketë marrë pjesë në këtë krim.

Ai u shpreh se vendonddhja e tij me vendin e krimit ishte goxha e largët dhe nuk ka mundësi që ai të ketë shkuar deri atje. Tollkuçi tha se kunati i tij nuk kishte lidhje me vajzën në fjalë, që pretendohet të jetë shkak i ngjarjes.

Si ndodhi vrasja? 

Një histori dashurie, megjithëse e mbyllur mes një 18 vjeçareje dhe 26 vjeçarit u bë shkak për vrasjen e këtij të fundit. 26 vjeçari,  Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit u denoncua më 12 qershor i zhdukur nga ana e babait të tij. Pas njoftimit Policia e Korçës kreu kontrolle në terren dhe trupi i pajetë i të riut u gjet më 16 qershor në rezervuarin e fshatit.

Ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje, pasi buzë rezervuarit ishin lënë sendet personale të të riut. Por nga këqyrja e trupit të pajetë u vërejtën mavijosje në pjesën e qafës çka shtoi dyshimet e policisë. Hetimet nxorën në dritë një krim pasioni ku ishin përfshirë 3 persona të identifikuar si Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj.

Hetimet zbuluan se pak kohë më parë 18 vjeçarja e cila banon në një fshat të Voskopojës kishte nisur një marrëdhënie intime me 38 vjeçarin nga një fshat i Pogradecit, Bleti Angjo. Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me Martin Çeçon, kjo ngjalli xhelozi që më pas prodhoi vrasjen.

38 vjeçari i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy miqtë e tij Valter dhe Edlir Mollaj shkuan në Maliq dhe takuan 26 vjeçarin, më pas me një litar e kanë mbytur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuar.

Top Channel