Sunny Hill në Prishtinë e Tiranë/ Rikthehet festivali në Kosovë, në fund të gushtit do të mbahet në Shqipëri

20/06/2022 15:16

Sunny Hill Festival do të mbahet në Prishtinë dhe Tiranë. Për herë të parë festivali do të zhvillohet në dy kryeqytetet shqiptare, në datat 4-5-6 dhe 7 gusht në Prishtinë dhe më 26-27-28 gusht në Tiranë.

Pasi u njoftuar më herët se festivali do të zhvendosej në Tiranë për shkak të vonesave nga ana e autoriteteve të Kosovës për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, sot, përmes një deklarate të përbashkët, organizatorët e festivalit, ministria e Kulturës së Kosovës dhe komuna e Prishtinës lajmëruan se festivali do të mbahet sërish në Prishtinë në një lokacion të përshtatshëm.

“Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinès dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë. Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetme, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm. Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme”.

Por pavarësisht rikthimit të Sunny Hill në Prishtinë, një edicion i veçantë do të mbahet edhe në Tiranë në fund të gushtit.

“Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyer kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26-27-28 gusht”.

Në Sunny Hill Festival  këtë vit do të marrin pjesë artistë të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, por pritet të zbulohen dhe emrat e dy artistëve të mëdhenj botëror.

 

Top Channel