Gati 31 mijë e 400 nxënës në gjithë vendin nisën Provimet Kombëtare të Arsimit Bazë, që përmbyllin ciklin 9-vjeçar të arsimit.

Sezoni nisi me provimin e Gjuhës Shqipe, që filloi në orën 10.00 dhe mbaroi në orën 12.30 minuta. I radhës është provimi i Matematikës më 23 qershor, dhe i fundit ai i Gjuhës Shqipe, më 29 qershor.

“Po pres djalin, kam ardhur dhe ikur disa herë, se është ai ankthi i prindit. Këta janë brez që vijnë nga 2 vite pandemi. Ishte një frikë që iu bë një brezi të vegjlish që obobo gogoli dhe një frikë nga vdekja që iu bë një brezi të rriturish. Djali, pasi të mbarojë provimet, do të shkojë të punojë në Greqi, për t’u mësuar më edukatën e punës”, tha një prind.

“Unë i kam bërë kurse private, duke ia mbushur boshllëqet, që shkaktoi pandemia”.

“Unë po pres vëllain. Është i vogli i shtëpisë dhe i kemi sytë të gjithë tek ai. Më shumë në siklet e padurim jemi ne, sesa ai që mezi po pret të nisë pushimet verore”.

“Provimi ishte i lehtë, përmbante gjithë mësimet që kemi bërë gjatë vitit. Unë e bëra për 1 orë e gjysmë, por qëndrova, se ishte me detyrim. Nuk mund të flisje dhe as të kopjoje. Kishim vetëm stilolapsin dhe një shishe ujë”. tha një nxënës.

“Do takoj pak nënën se po me pret. Mos ki merak se i bëra të gjitha, ishin të lehta”, tha një nxënës.

“Kishte pyetje nga morfologjia dhe sintaksa. Eseja fliste për një marrëveshje për shkëmbim armësh që Skënderbeu bëri më një sulltan turk. Ne duhej të thoshim ndjesitë dhe këndvështrimin tonë. Unë nuk do ta bëja atë marrëveshje”.

“Ndërsa unë i besova mprehtësisë së Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut”.

Top Channel