Anulohen fluturimet në Bruksel, bllokohen trenat në Angli/ Punonjësit duan rritje pagash

20/06/2022 19:55

Rritja e çmimeve dhe mospërballimi i kostos së jetës ka bërë që të nisin protestat e para nga punonjësit e shërbimeve publike në Evropë.

Të hënën aeroporti i Brukselit, më i madhi në Belgjikë, anuloi të gjitha fluturimet e planifikuara për t’u nisur këtë të hënë për shkak të një greve të rojeve të sigurisë që kërkonin rritje të pagave.  Administrata e aeroportit njoftoi se janë anuluar gjithsej 232 fluturime, në një masë që prek rreth 30,000 pasagjerë .

Oleksandr Zayikin, pasagjer: Jam pak i mërzitur, por në fakt e respektoj që njerëzit hyjnë në grevë nëse nuk u pëlqen diçka. Nuk e di se si ndodhi, sepse në Ukrainë nuk është një gjë e zakonshme, ne nuk kemi greva të tilla. Por unë me të vërtetë e respektoj që njerëzit e bëjnë këtë.

Maria Antonia: ne nuk e dinim që fluturimet ishin anuluar, por mendoj se çdo gjë do të rregullohet shpejt.

Ndërkohë edhe Britania e madhe po përballet me grevën më të madhe hekurudhore në 30 vjet këtë javë, me  dhjetëra mijëra punonjës kërkojnë rritje pagash për shkak të rritjes së kostos së jetesës.

Familjet britanike tashmë po përjetojnë shtrëngimin më të madh ekonomik në dekada, me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve duke e çuar inflacionin drejt shifrave dyshifrore, ndërkohë që pagat mesatare bazë nuk janë më të larta se sa ishin në vitin 2006 kur u rregulluan për inflacionin.

Më shumë se 50,000 punonjës të transportit hekurudhor do të zhvillojnë një grevë të martën, të enjten dhe të premten, lëvizje që sindikatat e shohin se një verë protestash që do të pasojë  me mësuesit, mjekët dhe madje edhe avokatët.

Ekonomia e Britanisë fillimisht u ringjall fuqishëm pas pandemisë, por një kombinim i mungesës së fuqisë punëtore, ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit, inflacionit dhe çështjeve të tregtisë pas Brexit ka sjellë shqetësime për një recesion.

 

Top Channel