Detaje të reja nga arrestimi i Agim Kajmakut/ Itenerari që ndoqi para prangosjes dhe llogaria rrjedhëse e bashkëshortes së tij

19/06/2022 11:56

Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku në Itali. Ata ranë në pranga tre javë më parë me 20 kg kanabis, brenda një kamioni me vazo me lule.

Interpoli, Karabinierët dhe policia shqiptare po hetojnë trafikun e gjerë të drogës, ku disa politikanë shqiptarë dhe në veçanti ish- kryebashkiaku i cili u arrestua tre javë më parë në Grottammare, së bashku me nipin, me 20 kilogramë kokainë, shkruan media italiane.

Në pranga përfunduan Edmond Kajmaku, 34 vjeç, banues në Monterubbiano dhe daja i tij Agim Kajmaku, ish-kryetar i Bashkisë Vorë.

Për momentin ata akuzohen vetëm për trafik droge. Tani për tani, po: sepse situata e tyre, tashmë mjaft e komplikuar mund të përkeqësohet më tej nëse hipotezat e hetuesve do të rezultojnë të sakta, sipas il Resto del Carlino.

Një plan thuajse perfekt për të menaxhuar tregun e gjerë të kokainës nga një fshat i izoluar në Marche pranë portit të Ankonës dhe Barit, të gjitha me koordinimin e nipit të politikanit shqiptar, tashmë në Itali. Mirëpo, diçka nuk shkoi mirë dhe pas zbulimit të bërë nga karabinierët brenda vazove me bimë të blera nga kompania e luleve, aksioner i së cilës ishte ish-kryebashkiaku dhe tashmë në pronësi të gruas së tij, nisi një hetim shumë më i gjerë ndërkombëtar.

Pista hetimore italo-shqiptare ditët e fundit i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm një kamioni të kompanisë shqiptare të luleve në portin e Durrësit dhe ka zbuluar vendet e fshehta në mjet, edhe pse nuk kanë konstatuar lëndë narkotike. Në këtë mënyrë ka dalë në dritë mënyra se si dyshohet se lëviznin qindra kilogramë drogë. Policia shqiptare ka gjetur edhe një llogari rrjedhëse në emër të bashkëshortes së politikanit me dy milionë dollarë, prejardhja e së cilës është ende nën hetim.

Hetuesit verifikuan gjithashtu se, pesë ditë para sekuestrimit të kokainës, politikani i njohur shqiptar kishte udhëtuar me avion nga Tirana në Ankona.

Më pas ai shkoi në Monterubbiano dhe së bashku me nipin e tij morën një makinë me qira. 34-vjeçari Edmond Kajmaku, nga ana tjetër, para se të arrestohej, jetonte në Monterubbiano dhe më parë ka qenë drejtor i ujësjellësit shqiptar.

Një ish-politikan dhe një ish-zyrtar i rëndësishëm lëviznin kilogramë e kilogramë drogë në oazin e qetë dhe të lumtur të Fermanos.

Top Channel