Pasi një ditë më parë arriti një rekord të çmimit, ku një litër u shit për 265 lekë, sot nafta do të të shitet katër lekë më lirë.

Bordi i Transparencës në mbledhjen e kësaj të shtune ka vendosur që çmimi i ri i naftës të jetë 261 lekë për litër.

Ulje të çmimit ka pësuar dhe benzina. Nga 241 lek për litër, nga sot në orën 18:00 do tregtohet me pakicë për  236 lekë/litri.

Çmimi i gazit mbetet i pandryshueshëm. Në pikat e karburantit do të vazhdojë të shitet me 86 lekë për litër.

Ndikuar dhe nga çmimi i lartë në bursë, Bordi i Transparencës në mbledhjet e fundit ka vendosur çmimet më të larta që nga krijimi i tij për lëndët djegëse që tregtohen në pikat e karburantit, duke tejkaluar kështu dhe nivelin rekord që shënoi në fillim të marsit kur arriti në 260 lekë litri.

Njoftimi i Bordit të Transparencës:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 261 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 249 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë 236 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë 224 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 86 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet. (Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Top Channel