Parcel me kanabis në Mallakastër, arrestohet 64-vjeçari që kultivonte drogën

18/06/2022 10:47

Një parcelë me kanabis është identifikuar në Mallakastër nga policia, ka arrestuar një 64-vjeçar si kultivuesin e bimës narkotike.

Rreth 50 bimë kanabisi janë gjetur në fshatin Ngraçan. Shtetasi me iniciale F.H. do të hetohet për kultivimin e tyre.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, efektivët e Komisariatit të Policisë Mallakastër kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit. Si rezultat i një hetimi njëmujor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, është finalizuar operacioni policor i koduar “Ngraçan”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

-F. H., 64 vjeç, banues në fshatin Belishovë, Mallakastër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjatë këtij operacioni, në një sipërfaqe toke të pyllëzuar, në fshatin Ngraçan, u gjetën të kultivuara 50 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Nga hetimet dyshohet se autor i kultivimit të tyre është shtetasi F. H.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Top Channel