Te shtëna me armë zjarri janë dëgjuar këtë mbrëmje në lagjen “Skënderbej” në Elbasan.

Mësohet se ka ndodhur një konflikt midis dy personave ku shtetasi E. M. banues në lagjen “Skënderbej” ka qëlluar me armë në drejtim të një makine, e cila ka marrë disa goditje në pjesën e pasme të saj. Në këtë mjet, dyshohet se ka qenë shofer shtetasi E.B.

Rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes është gjetur edhe një arme tip pistolete TT, e cila dyshohet se është hedhur nga autori dyshuar i kësaj ngjarjeje. Në vendin e ngjarjes janë konstatuar rreth 7 gëzhoja pistolete.

Njoftimi i policisë:

Në lagjen “Skënderbeg”, në Elbasan, për shkak të një konflikti të çastit, të ndodhur disa ditë më parë, midis shtetasve E. M. dhe A. B., shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në Elbasan, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit A. B., 30 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte duke qarkulluar me automjetin e tij.

Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Shërbimet e Policisë që ishin në patrullim kanë reaguar menjëherë dhe janë vënë në ndjekje të autorit, i cili ka hedhur armën e zjarrit gjatë ndjekjes nga Policia dhe ka mundur të largohet.

Forca të shumta të Policisë Elbasan, “Shqiponjat” dhe forca operacionale të DVP Elbasan kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po vijon veprimet, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel