Me përjashtim të Emiliano Shullazit që po kurohet pranë Spitalit të Burgut, 6 të burgosur të tjerë që të gjithë në regjimin e ashpër 41 biss në Tiranë pretendojnë se shteti po i trajton në mënyre çnjerëzore.

Avokatët e tyre deklaruan se klientët kanë hyrë në grevë urie, por ky informacion nuk konfirmohet nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve. Deri më tani pranohet që Eldi Çala, Klement Cala, Redjan Rraja, Viktor Ymeri, Fatmir Pjetri dhe Arbëer Çekaj kanë kërkuar njëkohësisht pesë ditë më parë që të rishikohen kushtet në qelite ku secili mbahet i izoluar i vetëm.

Kërkesa tjetër lidhet me dërgimin e një televizori dhe frigoriferi, të pasurohet dieta ushqimore dhe të takohen me familjarët 4 herë në muaj. Por në regjimin e ashpër 41 biss të gjitha janë të ndaluara, me përjashtim të librave që edhe ato kontrollohen nga biblioteka e burgut. Krejt ndryshe me të burgosurit e tjerë që u lejohen ushqime nga të afërmit, të konsideruarit si më të rrezikshmit prej SPAK janë të detyruar të konsumojnë vaktet që gatuhen në qeli nga burgu  si vezë, çaj, pilaf apo mish e qumësht. Por ajo që mund të konsiderohet në kufijtë e një skandali, është pyetja: si ka mundësi që këta 6 të burgosur që mendohet të jenë të izoluar maksimalisht, janë marrë vesh me njëri-tjetrin?

Drejtoria e burgjeve po vlerëson që ta konsiderojë këtë si një incident që të regjistrohet në kartelën e të burgosurve, por kjo nuk shpjegon gjithsesi se çfarë përgjegjësie kanë autoritetet që lejuan, me ose pa dashje, që ky incident të ndodhë.

Kopjuar nga modeli italian kundër bosëve të Cosa Nostrës, aktualisht në qelitë 41 biss në Peqin dhe pranë 313, mbahen 10 të burgosur e të paraburgosur ku veç të shtatëve në Tiranë, janë edhe emra të tjerë si Aleksander Llanaj, Arbjon Aliko dhe Genci Balla. Fakti që 6 të burgosurit që kanë shpallur grevë të njëkohshme, janë të gjithë në burgun 313, ngushton rrethin e mundshëm hetimor të këtij incidenti në institucionin më të izoluar dhe ruajtur në vend.

Top Channel