Scholz, Macron, Draghi në Kiev: Pas 110 ditësh, “të mëdhenjtë” e Europës në Ukrainë!

16/06/2022 12:30

Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri i Italisë Mario Draghi kanë mbërritur në Kiev me një mesazh të qartë “uniteti”.

Pas 110 ditë luftimesh në Ukrainë, krerët e tre vendeve të rëndësishme të Europës po kërkojnë që përmes kësaj vizite, që disa e konsiderojnë të vonuar, t`i përcjellin Vladimir Putinit një mesazh të fuqishëm, efekti i të cilit të jetë më i fortë se cdo telefonatë.

Scholz kishte lënë të kuptohej se do ta ndërmete këtë udhëtim kur të arriheshin rezultate konkrete, ndaj pritet me interes për t`u parë se cfarë do të sjellë kjo ndalesë e tij dhe dy udhëheqësve të tjerë europianë.

Të tre ata pritet të takohen me Volodimyr Zelenskyn, në mesin e kërkesave të Kievit për më shumë armatime dhe përpjekjeve të Ukrainës për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.

“Ky është një mesazh uniteti për popullin e Ukrainës; është një mesazh mbështetjeje. Ne vijmë këtu përtë folur për të tashmen dhe për të ardhmen, sepse javët në vazhdim, sic e dimë, do të jenë shumë të vështira.”- tha Macron

Scholz është kritikuar se premtimet që i ka bërë Ukrainës, nuk janë përmbushur: Sistemi i i mbrojtjes ajrore, Iris-T SLM,  për të cilin vendi ka shumë nevojë do të jetë gati vetëm pas disa muajsh, ndërsa furnizimi i premtuar i raketahedhësve të tipit Mars II u reduktua së fundmi në tre.

Aktualisht vetëm Britania e Madhe, Norvegjia, Polonia, Çekia, Sllovakia dhe shtete të tjera kanë dërguar armë të rënda. Udhëtimi ndërkohë, vjen një ditë përpara se Komisioni Europian të bëjë një rekomandim mbi statusin e Ukrainës si një kandidate në BE.

Vendi e nisi procesin e aplikimit për anëtarësim në BE në shkurt, katër ditë pas pushtimit të Rusisë. Muajin e kaluar presidenti francez Emmanuel Macron tha se procesi do të zgjaste disa vite, apo edhe dekada. Megjithatë, së fundi u shpreh se Europa duhej të siguronte Ukrainën mbi ambiciet e saj në BE.

“Ne jemi në një pikë kur duhet të dërgojmë sinjale të qarta politike, ne europianët, ndaj Ukrainës dhe popullit të saj që po rezistojnë në mënyrë heroike,” tha ai.

Top Channel