Punishte për modifikim armësh në Mëzez/ Bliheshin nga grupet kriminale në vend, në pranga dy persona

16/06/2022 12:17

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë për arsenalin e armëve të gjetur në një banesë në Mëzez të Tiranës.

Shtëpia ku u gjetën armët kishte edhe një punishte për modifikimin e tyre, e cila rezulton në pronësi të Elvis Bakallit, njërit prej të arrestuarve. Bashkë me të ra në pranga edhe një person tjetër Dorian Kalo.

Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije se në këtë banesë jetojnë vetëm një çift bashkëshortësh.

Zonja e shtëpisë tha për “Top Channel”, se policia ka shkuar ditën e djeshme për kontroll në shtëpi dhe kanë gjetur diçka të vogël, të cilën ajo nuk e kishte parë kurrë më parë në shtëpinë e saj.

“Policia erdhi bëri kontroll dje. Gjeti diçka të vogël. Unë s’i kisha parë më parë ato në shtëpinë time”, tha gruaja.

Sipas policisë, sendet për modifikimin e armëve ishin marrë jashtë vendit dhe armët bliheshin nga grupe kriminale.

8 armë zjarri të llojit pistoletë, 3 armë zjarri automatike, 4 zhurmues si ato të armëve të zjarrit pistoletë, silenciatorë, pjesë të ndryshme armësh, një thikë, makineria që shërbente për  prodhimin dhe modifikimin e pjesëve të armëve të zjarrit, municion luftarak dhe sende të tjera prej metali që përdoren për modifikimin dhe prodhimin e silenciatorëve të armëve të zjarrit, valixhe me pjesë armësh për modifikim, një sasi parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.

 Të gjitha armët dhe sendet e tjera të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të vërtetuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Theksojmë se aksesorët për modifikimin e armëve dhe silenciatorëve vijnë në rrugë ilegale, nga jashtë vendit.

Po punohet intensivisht, në bashkëpunim dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të zbardhur këtë aktivitet kriminal, pasi nga hetimet e deritanishme dyshohet se këto armë bliheshin nga persona me precedent të theksuar kriminal, anëtarë të grupeve kriminale, me qëllim kryerjen e veprave të rënda penale kundër personit”, thekson Drejtori i policisë së Tiranës, Lorenc Penganika.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel