“Kemi nevojë për armë të fuqishme”/ Zelensky: Ukraina, e gatshme të punojë për t’u bashkuar me BE-në

16/06/2022 18:47

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha këtë të enjte gjatë takimit me liderët e BE se pushtimi i Rusisë ka për qëllim të thyejë të gjithë Evropën përmes Ukrainës.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kiev me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin italian Mario Draghi dhe presidentin rumun Klaus Iohannis, Zelensky u tha homologëve të tij se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës përbënte një sulm ndaj të gjithë Evropës:

Rusia dëshiron të tregojë se Evropa e bashkuar nuk është në gjendje të jetë efektive dhe se vlerat evropiane nuk funksionojnë për mbrojtjen e lirisë. Ne mund dhe duhet ta thyejmë këtë skenar dhe t’u tregojmë atyre se Evropa do të vazhdojë të jetë e lirë, demokratike dhe … e bashkuar“, tha ai.

Zelensky tha se mënyra më e mirë për të demonstruar pozitën e përbashkët dhe të forte është duke mbështetur integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Zelensky tha se Ukraina është e gatshme të punojë për t’u bërë një anëtare e plotë e BE-së.

Ne e kuptojmë se rruga drejt Bashkimit Evropian është me të vërtetë një rrugë dhe nuk është një hap. Por kjo rrugë duhet të fillojë dhe ne jemi të gatshëm të punojmë që shteti ynë të shndërrohet në një anëtar të plotë të Bashkimit Evropian dhe Ukrainasit kanë fituar tashmë të drejtën për të nisur këtë rrugë”, tha ai.

Zelensky tha se numri i përgjithshëm i raketave ruse të përdorura kundër popullsisë civile në Ukrainë “tashmë ka arritur në 3,000 këtë muaj”, duke shtuar se sa më shpejt Ukraina të marrë armë më të fuqishme nga Perëndimi, aq më shpejt do të jetë në gjendje t’i japë fund sulmeve ruse.

Top Channel