Sunny Hill te parku i liqenit! Veliaj zbulon vendin ku do mbahet festivali: Do sjellë rreth 50 milionë euro në ditë

15/06/2022 15:42

Sunny Hill festival për herë të parë do të mbahet në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj zbuloi për Top Channel lokacionin që për 4 ditë do të presë me mijëra të rinj që do të argëtohen nën tingujt e muzikës.

“E kemi përcaktuar vendin dhe sot morëm vendimin final që do të jetë hapsira përreth liqenit, fushat përreth liqenit të Tiranës, do të jenë tre skena të ndryshme, një qëndrore dhe skena të tjera. Të bashkëpunojmë që të jetë një zonë me hyrje dalje, na duhet pak punë logjistike, por siç menaxhuam dy tifozëri jo pak të vështira si Roma me Feynord, me më shumë suksese se Parisi, do të thotë që nuk është çështje aftësie e vendi dhe madhësisë ekonomike, por është çështje fokusi displinë aftësie menaxheriale për të organizuar grupe te mëdha, kësaj here shumica janë te rinj dhe shqiptarë dhe besoj se do argëtohemi pa incidente”.- tha Veliaj

Krybashkiaku e shikon  si privilegj organizmin e festivalit Sunny Hill  në Tiranë.

“Është prestigj dhe privilegj për Tiranën, e pritëm me entuziasëm kur organizatorët na kërkuan që të bëheshim vendi pritës. Dhe përsa kohë që nuk do të ishte Prishtina prej situatës që u krijua, unë mendoj që është gjithnjë më mirë një tjetër qytet shqiptar se sa në një tjetër vend në Europë.

Dhe për sa kohë që Tirana dhe Prishtina janë vetëm tre ore larg dhe për sa kohe që edhe këtej dhe andej kufirit po mbështesim njëri tjetrin duhet të gëzohemi që brenda trevave shqiptare ndodhin kaq shumë aktivitete”.- tha Veliaj.

Organizimi i këtij festivali pritet që të sjellë të ardhura shtesë ekonomike për Tiranën.

“Ka interes ekonomik për Tiranën, sot Tirana prodhon zyrtarisht 20 milion euro ekonomi në ditë dhe kur ka ndeshje si UEFA kjo dyfishohet do të thotë qe ne presim që ato 20 milion euro, t’i dyfishojë në ato ditë. Zinxhiri ekonomik që punon, patjetër presim rreth 40-50 milionë euro shtesë në Tiranë”.- tha Veliaj

Tirana është kthyer në kryeqytetin që ofron organizime jo vetëm për vendasit, por dhe të huajt duke u bërë çdo ditë një atraksion turistik me interes për t’u vizituar. 

Top Channel