Në pritje të rindërtimit pas tërmetit, banorët në Durrës protestojnë ndaj heshtjes së autoriteteve

15/06/2022 13:24

Në pritje të shembjes dhe rindërtimit, banorë të dy pallateve të dëmtuara rëndë në lagjen nr.5, në Durrës, kanë protestuar ndaj heshtjes së autoriteteve të rindërtimit për objektet e tyre.

“U bënë 2 vite e gjysëm që jemi përjashtë. Kafshët e kanë një kasolle, ndërsa ne rrimë akoma rrugëve. Mbaroi Laçi, Shijaku, Tirana, këtu në Durrës nuk vë dorë asnjë. Vetëm ne në Durrës jemi të persekutuar?!    Prit e prit dhe asgjë s’po bëhet. Plaçkat i hoqëm dhe presim të shembet pallati dhe të rindërtohet sa më parë.”- thanë banorët.

Afro 3 vjet pas tërmetit fatal, banorë të pallateve në pritje të shembjes vazhdojnë të jetojnë në shtëpi me qira dhe nuk e dinë edhe për sa kohë, pasi  institucionet heshtin.

“I kemi dërguar letër për informacion çdo lloj institucioni të shtetit dhe kanë rënë në gjumë. I bëjmë thirrje ministrisë së Mbrojtjes dhe Rindërtimit të nxitojnë dhe të hapin fondet për Durrësin. Vetëm një zv.ministër i dënuar e ka rindërtuar pallatin, të tjerët s’kanë filluar.”- shprehet një tjetër banor.

Protestat e vazhdueshme janë kthyer në të vetmen mënyrë për të ngritur zërin dhe bërë publik shqetësimin e tyre, me shpresën se dikush do t’i dëgjojë.

Shembjet me shpërthim të kontrolluar në lagjet e Durrësit, ndërkohë kërkojnë një studim të mirë nga ana e xhenierëve të ushtrisë, për shkak të dëmeve të reja që mund të shkaktojnë në pallatet e shumta përreth.

 

Top Channel