Fatmir Xhafaj kritika për KLGJ: Nuk na duhen vetëm statistikat, kemi nevojë për transparencë dhe llogaridhënie

15/06/2022 13:52

Deputeti i Partisë Socialiste dhe një ndër hartuesit kryesorë të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj, ka shprehur rezerva ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve për KLGJ, përballë kryetares Naureda Llagami.

Xhafaj tha se përgëzon për KLGj për raportin pasi paraqet një tablo mjaft të detajuar, por sipas tij është i paplotë pasi duhet të ketë transparencë dhe llogaridhënie më të lartë përballë publikut.

Fatmir Xhafaj: Jam i habitur që sot ky raport i ngritur me urdhërin tuaj është paraqitur në Këshill për 15 minuta dhe nuk ka pasur asnjë koment nga anëtarët.

Kjo ka të bëje me përgjegjësinë e çdo anëtari të Këshilli. Gjithsesi në këndvështrimin tim raporti jep një tablo të plotë dhe është një standard shumë i mirë i krijuar nga KLGJ e për këtë gjë duhet përgëzuar. Problemi është se prezantimi i të dhënave është një bazë e mirë por kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet të dimë cilësinë, llogaridhënien, transparencën e drejtësisë, se këto i duhen qytetarit.

Çështja është cilat janë problemet, zgjidhjet e angazhimet që merr sistemi i drejtësisë. Këto janë gjëra që do doja të shihja në raportimet e ardhshme. KLGJ ka tre vite që raporton, tani ka pritshmëri më të larta e më shumë përgjegjësi e llogaridhënie përballë qytetarëve. Në 2021 ka një përparim pozitiv por Këshilli është larg pritshmërive publike si organi kyç i gjyqësorit.

Llogaridhënia dhe transparenca dy shtyllat baze të një sistemi të drejtësisë, kisha më shumë pritshmëri nga ju. Këshilli nuk duhet konceptuar si një organ burogratik. Si e keni realizuar ju përgjegjësinë tuaj për komunikimin me publikun.

Top Channel