Exclusive/ Shqiptari që pret nisjen në Ruanda: Në pritje të udhëtimit janë edhe 35 shqiptarë. Nëse kthehem në Shqipëri më vrasin!

15/06/2022 15:07

Në pritje të dërgimit nga Anglia në Ruanda në qendrën e dëbimit të azil kërkuesve Colnbrook afër aeroportit të Heathrow në Londër,  mbahen 35 shqiptarë.

Të mbërritur në Angli me gomone gjatë muajit Maj, ata kanë marrë njoftimin se azil kërkimi i bërë  do të shqyrtohet në Ruanda. Gazetari i Top Channel , Muhamed Veliu  përmes telefonit intervistoi njërin prej tyre.  Genti është 21 vjeç. Pasi pagoi trafikantët kurdë në Francë 6.000 paund mbërriti në Angli në 20 maj duke kërkuar azil. Ëndrra e tij angleze po shndërrohet në një makth drejt Afrikës.

MUHAMED VELIU – Genti, cila është situata juaj dhe e shqiptarëve të tjerë në atë qendër dëbimi?

GENTI- Po bëhet një protestë e vogël këtu në kamp për këtë fluturimin e dërgimit në Ruanda. Jemi mbledhur të gjithë aty po rrimë. Duam që mos të flemë gjumë as ushqim nuk duam të marrim më. I gjithë kampi është. Ka edhe  njerëz jashtë që po protestojnë për këtë punë. Një pjesë e mirë bashkë me mua kemi marrë letrat për në Ruanda. Falë punës që po punojnë avokatët kanë arritur t’i kancelojnë biletat.

Gjatë intervistës Genti ngre këtë shqetësim të cilin Top Channel e ka të pamundur ta vërtetojë.

GENTI- Po na japin të pimë ilaçe. S’na shpjegojnë për ca është ky ilaç. Ai ilaç mund të jetë të na vendosin në gjumë dhe kur të zgjohemi të jemi në Afrikë. Për aq kohë sa të drejtat tona u prekën çfarë nuk mund të ndodhë.

MUHAMED VELIU- Si e keni pritur njoftimin për t’ju çuar në Ruanda?

GENTI-Ka qenë gjëja më e keqe. As që nuk e prisja. Në rregull nëse do të më pyesnin do ishte diçka tjetër. Thjesht më ka ardhur konfirmimi që ti je për në Ruanda dhe më thanë se i kanë dërguar të gjitha të dhënat e mija atje. I kanë shpërndarë pa miratimin tim. Pra janë prekur të drejtat e mija. Për 10 ditë e kanë cilësuar atje mundet të fluturojmë për në Ruanda.

MUHAMED VELIU- Përse zgjodhe të kërkosh azil në Angli?

GENTI- Ishte mënyra e vetme që t’i largohesha disa kërcënimeve që kam në Shqipëri pasi i detyrohem lekë borxh disa personave në Shqipëri. Mora rrugën të shkoj në Angli si një vend më i sigurt dhe me idenë që nesër pasnesër mund t’i shlyej ato para që kam borxh e të jem përsëri me familjen time.

MUHAMED VELIU- Nëse autoritetet britanike këmbëngulin t’ju çojnë në Ruanda çfarë do të bëni?

GENTI- Do të mundohem me çdo mënyrë mos të shkoj. Pastaj nëse ata do të më çojnë me dhunë me forcë atëherë nuk kemi ça të bëjmë. Ky ishte fati jonë.

MUHAMED VELIU- Po mundësinë e kthimit në Shqipëri për të mos përfunduar në Afrikë e keni marrë në konsideratë?

GENTI- Në Shqipëri unë jam i vrarë nëse kthehem në Shqipëri. Ishte një kërcënim me jetë. Ndaj unë mora rrugën. Është e njëjta situatë për mua. Si shkova në Afrikë si në Shqipëri. Pretendoja që Anglia të më ndihmonte për këtë çështje, por nuk më ndihmoi.

Top Channel