Teknologji e re për mbetjet në Tiranë, Veliaj: 3 risi për mbledhjen e mbeturinave, ata që i gjuajnë tigrit me gurë të njëjtët që djegin edhe kazanët

14/06/2022 19:27

Tirana po piloton me sukses teknologji të re për pastrimin e qytetit. Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Kryetari Veliaj deklaroi se në kryeqytet po vijon vendosja e kontenierëve të rinj metalikë që do të zëvendësojë ata plastikë, të cilët janë edhe më rezistentë.

“Kemi filluar të zbatojmë një teknologji të re për mbledhjen e mbeturinave. Në fakt janë 3 risi. Së pari, në pjesën më të madhe të qytetit, do të shikoni që kazanët janë ndërruar nga plastikë polikarbonat, në metal. Kemi pasur raste të jashtëzakonshme të vandalizimit. Ata që i gjuajnë tigrit me gurë edhe që i numërojnë dhëmbët, janë edhe ata që djegin kazanët”, deklaroi Veliaj.

Sipas tij, është një kontingjent që mundohet të vandalizojë qytetin dhe të testojë kush është më i fortë, civilizimi apo injoranca. “Civilizimi është më i fortë. Sepse civilizimi gjithmonë mendon një mënyrë tjetër për t’ia dalë ballë injorancës”, theksoi Veliaj. Ai sqaroi se në pjesën më të madhe të territorit janë kontinierët me dy kapakë. “Në pjesën brenda Unazës së Mesme, do të jenë kontenierë thuajse të blinduar, që kanë vetëm një kokë magnetike. Hedhja e mbeturinave në këto kontenierë funksionojnë ngjashëm siç futen zarfet në kuti postare. Pra, individi pas momentit të futjes së mbeturinave në hapësirën përkatëse, fleta do të rimbyllet për të shmangur daljen dhe djegien e tyre”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ndërkaq, në zonën turistike të qytetit pranë qendrës, Bashkia e Tiranës po vendos kontenierët nëntokësorë për mbledhjen e mbeturinave. Aktualisht një teknologji e tillë nuk është aplikuar as në Verona apo Vicenza të Italisë. “Për zonën turistike po pilotojmë ato që quhen kazanët nëntokësorë, me madhësi 5 herë më të madhe se sa kazanët fizikë. Do të thotë që ka më pak nevojë të ndërrohet, por na mundëson edhe një efekt estetik. Kur ka mbërritur dita që vjen ankesa në bashki: Na çmendën turistët! Do të thotë që është një ditë e mirë për qytetin. Deri dje thoshin: Na çmendën plehrat ose problemet e qytetit. Sot jemi në një situatë ku disa po stresohen se kemi shumë turistë. Ky është një problem i mirë për t’u pasur. Por edhe për këtë fakt, ku ka edhe huliganë që vijnë për sport apo edhe flukse të mëdha turistësh, pasja e kontenierëve mbi sipërfaqe, mund të zëvendësohet fare mirë me kazanët nëntokë”, shtoi Veliaj.

Ai u shpreh optimist se teknologjitë e reja në pastrimin e qytetit do të mikpriten nga qytetarët, ndërsa kërkoi dhe distancimin e partive politike nga djegia dhe shkatërrimi i qytetit. “Unë jam besimplotë dhe optimist i përjetshëm dhe besoj që mbi shumica e qytetarëve të Tiranës, as i gjuajnë tigrit me gurë, as merren me dhëmbët e tigrit, pasi kanë probleme shumë më të rëndësishme për t’u marrë dhe as nuk djegin kazanët apo shkulin pemët. Është vetëm çështje kohe sa të civilizohet edhe ajo minorancë që po bëhet gjithmonë e më e vogël. Për sa kohë që edhe partitë politike do të distancohen nga djegia dhe shkatërrimi i qyteti, besoj që gjërat do jenë pak më kollaj në këtë front”, u shpreh Veliaj.

Top Channel