Sanksionet Ballkani/ Biden zgjeron masat e emergjencës, zgjatet urdhri ekzekutiv

14/06/2022 15:25

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka marrë vendimin të zgjerojë masat e emergjencës për Ballkanin Perëndimor.

Një njoftim i Shtëpisë së Bardhë sqaron se urdhri ekzekutiv i datës 8 qershor 2021 do të vazhdojë të jetë në fuqi edhe përtej datës 26 qershor 2022.

“Në përputhje me këtë dispozitë, i kam dërguar Regjistrit Federal për publikim njoftimin e bashkangjitur do të zgjatet përtej 26 qershorit të këtij viti. Aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet obstruksionist, dhe situata në Ballkanin Perëndimor, që pengojnë progresin drejt një qeverisje demokratike dhe efektive dhe integrimin e plotë në institucionet euroatlantike, nënvizohen në këto Urdhra Ekzekutiv, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Prandaj, unë kam vendosur që është e nevojshme të vazhdohet emergjenca kombëtare e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, thuhet në vendimin e Joe Biden.

Qershorin e vitit të kaluar, Biden firmosi urdhrin ekzekutiv në të cilin tregoheshin sanksione shtesë, duke përfshirë shënjestrimin e personave që kërcënojnë paqen sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zonë ose shteti në Ballkanin Perëndimor, si dhe shënjestrimin e atyre që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë ose që janë të përfshirë direkt ose tërthorazi në abuzimin e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor, ndërsa u zgjeruan kriteret duke përfshirë aty edhe sfidat si korrupsioni dhe veprimtaritë e tjera që pengojnë institucionet dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Përcaktimi i figurave të huaja publikisht nga Sekretari i Shtetit për përfshirje në korrupsion është një prej mjeteve që përdorin Shtetet e Bashkuara për të luftuar korrupsionin. Në skanerin e qeverisë amerikane për këtë çështje përfunduan edhe politikanë, zyrtarë e biznesmenëve shqiptarë, ndër të cilët rasti më i bujshëm është ai i Sali Berishës, të shpallur non grata nga SHBA së bashku me familjen e tij me arsyetimin e veprave të korrupsionit që minojnë demokracinë në Shqipëri.

Top Channel