Rusia u bën thirrje luftëtarëve në Severodonetsk: Dorëzoni armët si shokët tuaj në Mariupol, nuk ju vrasim!

14/06/2022 16:10

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë u bëri thirrje këtë të martë luftëtarëve ukrainas në Severodonetsk që të dorëzojnë armët.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve zyrtare në Kiev të tregojnë maturi dhe të japin udhëzimet e duhura për militantët që të ndalojnë rezistencën e tyre të pakuptimtë dhe të tërhiqen nga territori i uzinës Azot”, tha ministria në një deklaratë për shtyp.

Në thirrjen për dorëzimin e luftëtarëve ukrainas, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se do të garantonte “ruajtjen e jetëve dhe respektimin e të gjitha normave të Konventës së Gjenevës për trajtimin e robërve të luftës, siç ndodhi me shokët tuaj që më parë u dorëzuan në Mariupol.”

Ministria tha se Rusia do të hapë një korridor evakuimi për civilët ditën e nesërme midis orës 08:00 dhe 20:00 me orën e Moskës.

Kreu ukrainas i administratës ushtarake të Severodonetsk tha të martën se pak më shumë se 500 civilë vazhduan të strehohen në fabrikën kimike Azot, e cila është ende nën kontrollin e Ukrainës, dhe për të cilën autoritetet thonë se ka qenë objektiv i bombardimeve intensive nga forcat ruse.

Top Channel