Parlamentarët në Francë, Macron rrezikon të humbasë shumicën

13/06/2022 14:02

Edhe pse raundi i parë i zgjedhjeve parlamentare në Francë nuk prodhoi një fitues të qartë, duket se rritja e të majtës atje po i rrezikon presidentit Emmanuel Macron shumicën absolute. Macron ka një kundërshtar të ri me aleancën e re të majtë, aleancën “Nupes”.

Macron ka fituar mandatin e dytë presidencial në prill të këtij viti dhe këto zgjedhje parlamentare janë parë si testi i parë për të. Në raundin e parë të zgjedhjeve të përgjithshme, aleanca e majtë e gjelbër “Nupes” e Jean-Luc Melenchon ka arritur të marrë gati po aq vota (25,7%) sa fronti i qendrës i presidentit Macron, “Ensemle” (25,8%).

Sistemi i komplikuar zgjedhor çon pjesërisht në dallime të mëdha në proporcionalitet dhe shpërndarjen e vendeve në parlament.

Në fund vlejnë votat për fituesin e secilës zonë zgjedhore. Sipas sondazheve të instituteve, pritet që të dielën e ardhshme, kampi i Macron në raundin e dytë të mbledhë vota nga shumë zgjedhës, kandidatët e preferuar të të cilëve kanë humbur në raundin e parë.

Sipas kësaj llogaritjeje mbështetësit e Macron mund të marrin 255 nga 295 vende në parlamentin me 577 vende. Për shumicën absolute nevojiten 289 vende.

Për aleancën “Nupes” parashikohen 150 deri në 210 vende, megjithë rezultatin e mirë zgjedhor. Nëse Macron e humb shumicën absolute, atëherë ai duhet rregullisht që të marrë mbështetjen e kampeve të tjera politike dhe të bëjë më shumë kompromise, si për shembull tek reforma e pensioneve.

Vetë Melenchon e vlerësoi rezultatin zgjedhor si dështim për kundërshtarin politik, Macron.

“E vërteta është se partia e presidentit në raundin e parë ka dështuar dhe është mundur”, tha ai në Paris.

Kryeministrja e sapoemëruar nga Macron, Elisabeth Borne bëri thirrje për një “javë të mobilizimit”. Ajo vetë dhe 14 anëtarë të qeverisë kanë dalë në zgjedhje dhe rrezikojnë të humbasin postet, nëse nuk fitojnë në zonat e tyre zgjedhore.

Top Channel