Avokatët bojkotojnë punën në kundërshtim të hartës së re gjyqësore, opozita kërkon seancë dëgjimore

13/06/2022 12:48

Opozita ka kërkuar mbajtjen e një seance dëgjimore për hartën e re gjyqësore, e cila është kundërshtuar nga Dhoma e Avokatisë.

Sot deputetët e PD Dhurata Çupi, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Greta Bardeli, Fatmir Mediu, kanë kërkuar një seancë dëgjimore me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ministrin e Drejtësisë, Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit.

Avokatët në Fier, Kurbin dhe Korçë kanë lajmëruar bojkotim të seancave gjyqësore, duke theksuar se janë të prekurit drejtpërdrejt nga kjo bashkë me qytetarët.

Deputetët e opozitës shprehen se kanë ndjekur me vëmendje diskutimet që kanë pasuar vendimin e datës 10.06.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e “Hartës së Re Gjyqësore”.

Deputetët kanë marrë mesazhe nga qytetarë të ndryshëm që shprehen të shqetësuar lidhur me mbylljen e gjykatave në qytetet e tyre.

“Veçanërisht shqetësuese mbetet situata për banorët që do t’ju duhen të udhëtojnë për kilometra apo orë të tëra për të mbërritur pranë gjykatës kompetente për gjykimin e çështjeve të tyre.”

Sipas deputetëve të opozitës, riorganizimi gjyqësor lidhet me një të drejtë themelore që ka të bëjë me aksesin në drejtësi, të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Një ditë më parë, Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë i kërkoi anëtarëve të tij, të bojkotoj të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim, në të gjitha nivelet e gjykatave përfshire edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri ne datën 17 qershor.

Sipas Dhomës të Avokatisë, harta  re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit,  të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.

Ky vendim theksohet në reagimin e Dhomës së Avokatëve cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne çështjet penale, civile dhe administrative.

Kundër vendimit për bojkot ka dalë avokati Saimir Vishaj i cili tha se afati kësaj greve është shumë i shkurtër dhe dëmi që mund të shkaktojë në raport me qëllimin e saj është relevant.

Avokatët thonë se nuk mund të ofrojnë shërbimin e tyre për qytetarët pasi mungon infrastruktura dhe pamundësia e lëvizjes së qytetarëve.

Vendimi për hartimin e vënien në veprim të hartës së re gjyqësore ka marrë kundërshtime edhe nga biznesi dhe noterët duke e quajtur si një hap shumë radikal.

Harta e re Gjyqësore parashikon 12 gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe një  gjykatë Apeli në Tiranë, si rrjedhim 10 gjykata pritet të shkrihen.

Top Channel