Kundër hartës së re gjyqësore, kreu i Dhomës së Avokatisë në Korçë: Rrezikohet rritja e vetëgjyqësisë

13/06/2022 12:41

Kreu i dhomës së Avokatisë në Korçë, Arben Lena në një deklaratë për mediat theksoi se me hartën e re gjyqësore rrezikohet rritja e vetëgjyqësisë.

“Harta supozon një mënjanim total të qarkut të Korçës, duke hequr gjykatën e apelit, Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe atë të rrethit Pogradec dhe do kemi vetëm gjykatën e rrethit gjyqësor Korçë. Aksesi në drejtësi që është i garantuar nga Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut i garantuar nga Kushtetua jonë për shtresa të cilat janë poshtë nivelit mesatar të të ardhurave, për viktimat e dhunës, trafikut, shtresa të margjinalizuara do të jetë shumë i vështirë. Nëse deri tani dikush mund të drejtohej me një kërkesë dhe paraqitej në gjykatë dhe kishte mundësi të vinte me disa shpenzime të vogla, tani shpenzimet do të jenë të masë të madhe dhe do të mendojë ta lejë çështjen pa zgjidhje. Do të ketë rritje të vetëgjyqësive, dihet që këto shtresa e kanë të theksuar parimin e vetëgjyqësive, kjo hartë ka dështuar në ’98-ën dhe i bie që po kalojmë nga dështimi në dështim”, tha ai.

Avokatët e Fierit, Korçës dhe Kurbinit kanë njoftuar bojkotimin e seancave gjyqësore duke kundërshtuar hartën e re gjyqësore në vend që pritet t’i kalojë Këshillit të Ministrave.

Një ditë më parë, Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë i kërkoi anëtarëve të tij, të bojkotoj të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim, në të gjitha nivelet e gjykatave përfshire edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri ne datën 17 qershor.

Sipas Dhomës të Avokatisë, harta  re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit,  të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.

Ky vendim theksohet në reagimin e Dhomës së Avokatëve cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne çështjet penale, civile dhe administrative.

Kundër vendimit për bojkot ka dalë avokati Saimir Vishaj i cili tha se afati kësaj greve është shumë i shkurtër dhe dëmi që mund të shkaktojë në raport me qëllimin e saj është relevant.

Avokatët thonë se nuk mund të ofrojnë shërbimin e tyre për qytetarët pasi mungon infrastruktura dhe pamundësia e lëvizjes së qytetarëve.

Vendimi për hartimin e vënien në veprim të hartës së re gjyqësore ka marrë kundërshtime edhe nga biznesi dhe noterët duke e quajtur si një hap shumë radikal.

Harta e re Gjyqësore parashikon 12 gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe një  gjykatë Apeli në Tiranë, si rrjedhim 10 gjykata pritet të shkrihen.

 

Top Channel