Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ka rënë në prangat e policisë italiane nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.

Kajmaku është ndaluar në 27 maj, pasi u kap me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto del Tronto, së bashku me nipin e tij.

Droga, që u gjet e fshehur brenda disa vazo lulesh, nëse do të shitej, do të kapte vlerën e 1 mln euro. Ish-kryebashkiaku, klient prej kohësh në një fidanishte të njohur nga Grottamare, pasi bleu bimët, bashkë me nipin shkuan në shtëpi. Policia që po i ndiqte kontrolloi banesën, por nuk gjeti gjurmë droge.

Kajmaku, para se të bëhej kryebashkiak i Vorës, merrej me biznesin e fidanëve, farërave dhe plehrave, me firmën e tij që quhej “Kajmaku shpk”.

Tashmë ai do të gjykohet nga prokuroria italiane. Por Kajmaku ka një historik të gjatë të përballjes me drejtësinë shqiptare.
Gjykata e Tiranës, në nëntor të vitit 2019, caktoi në mungesë, masën e arrestit me burg për Kajmakun, për veprat penale të falsifikimit të vulave, stampave ose i formularëve, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ndërpreu mandatin Kajmakut. Ai u shkarkua nga KQZ pasi u denoncua nga Partia Demokratike për fshehje të të shkruarës kriminale në Greqi atje ku rezulton se është arrestuar, hetuar e më pas dënuar në mungesë për përdorimin e monedhave të falsifikuara, pavarësisht se më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata e Apelit të Janinës. Kajmaku erdhi në krye të Bashkisë Vorës nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, dhe dënimin në Greqi nën emrin Jorgo Tota, që mbante atëherë, nuk e deklaroi në formularin e dekriminalizimit.

Top Channel