Ish-kryebashkiaku kontravest i Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku, pasi bëri ping pong,  duke iu  fshehur përpalljes me drejtësinë shqiptare, tashmë ka llogari të hapura edhe me drejtësinë Italiane.

Biznesmeni Agim Kajmaku i përzgjedhur si kandidat nga PS duke u shpallur fitues në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit  2019,  sipas medias Italiane është arrestuar në vendin fqinj në fund në 27 Maj,  nën akuzën për trafik kokaine.

Ka qenë pronari i fidanishtes në zonën e San Benedetto del Tronto që ka sinjalizuar policinë italiane e cila pas hetimeve zbuloi kokainën e fshehur në vazo dhe vuri në pranga  Agim Kajmakun së bashku me të nipin.

Policia sekuestroi 20 kg kokainë e cila nëse hidhej në treg do të kapte vlerën rreth 1 milion euro. Lënda narkotike ishte fshehur brenda vazove të bimëve që kishte blerë Kajmaku, në një fidanishte nga Grottamare.

Një vit pas marrjes së detyrës të kryebashkiakut, Agim Kajmaku u vendos në ciklonin e akuzave të PD se ai kishte fshehur një dënim në Greqi. Partia Demokratike përmes një dokumenti faktoi se Kajmaku në Greqi ishte dënuar duke përdorur emrin e rremë  Jorgo Toto.

Megjithëse gjykata greke e shpalli të pafajshëm në lidhje me akuzën e falsifikimit të kartëmonedhave, për drejtësinë shqiptare Kajmaku nuk i shpëtoi dot problemeve për shkak se arrestimin e vitit 2003 duhet ta kishte deklaruar në formularin e vetë-deklarimit  që të gjithë zyrtarët duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve para se të hyjnë në garën për zgjedhje.

Denoncimi dhe kallëzimi opozitës, I shërbeu prokurorisë së Tiranës për të ngritur akuzat  ‘falsifikim formulari’, ‘falsifikim dokumentesh e kryer në bashkëpunim’ dhe ‘tejkalim i ushtrimit të kompetencave përtej mandatit’.

Në kushtet kur Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën për arrest me burg, Agim Kajmaku zgjodhi të fshihej e të futej në listat e policisë si person në kërkim.

Në Gusht të vitit 2020, Kajmaku do të shtrohej për kurim në një spital privat nga ku policia ekzekutoi urdhër arrestin duke I dhënë fund fshehjes gati dy vjeçare.

Nisur nga rrethanat e gjendjes shëndetësore, gjykata dha masën e detyrimit të paraqitjes.

Megjithëse Agim Kajmaku iu fsheh drejtësisë shqiptare, 3  akuzat e ngritura ndaj tij u pushuan.

Për episodin e arrestimit në Itali,  deputeti demokrat Gazment Bardhi, thotë se “ Edi Rama e emëroi Agim Kajmakun kryetar të bashkisë së Vorës dhe ai do të ishte sot në detyrë nëse PD nuk do kishte denoncuar të shkuarën e tij kriminale”.

Gazement Bardhi ri-publikoi  një pjesë nga një intervistë e kryeministrit dhënë për gazetarin Sokol Balla.

 

 

 

 

 

Top Channel