Top Channel siguron pamjet e para ekskluzive pas shpërthimit të tritolit në makinën tip “Volkswagen”, ku humbi jetën Aleksandër Sadikaj.
Në pamje shihet teksa i riu ndihmohet nga kalimtarë të rastit, ndërsa është i gjakosur e me gjymtyrë të këputur si pasojë e shpërthimit të fortë, por ende gjallë.
Disa persona i afrohen të riut për ta ndihmuar, ndërsa e kanë transportuar atë me urgjencë drejt spitalit të Traumës ku mbërriti pa shenja jete.
27-vjeçari Aleksandër Sadikaj humbi jetën mesditën e kësaj të shtune si pasojë e një atentati mafioz, në autostradën Sauk-TEG.
Persona ende të paidentifikuar, kishin vendosur një sasi lënde plasëse, në pjesën e përparme të makinës me të cilën i riu po udhëtonte i vetëm. Dyshohet se shpërthimi të jetë telekomanduar në distancë.
Sipas informacioneve, 27-vjeçari Sadikaj ishte dënuar më parë për vjedhje, për një ngjarje të ndodhur 9 prill të vitit 2011 ku së bashku me personin me inicialet, R.P, të cilët dyshohet se kishin vjedhur një sasi kabulli të Albtelecom.
Gjithashtu 27-vjeçari ishte proceduar edhe për një tentativë vrasjeje,ç’ka ka orientuar edhe grupin e hetimit të hetojë si një pistë të mundshme për të hedhur dritë mbi krimin e sotëm.
Jeta kriminale e “Aleksit të Memaliajt”
Aleksandër Sadikaj, lindur në Berat, por banues së fundi në Tiranë ishte person me precedent të theksuar kriminal, në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.
٠Më 09.04.2011 ai është arrestuar në Berat, pasi, së bashku me një person tjetër kanë tentuar të vjedhin në subjektin AlbTelecom-Berat.
٠Më 30.04.2011 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
٠Më 31.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Më 23.08.2018, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër;
٠Më 29.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;
٠Më 09.07.2019 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë shtetasin A. D., duke i shkaktuar dëmtime serioze në trup;
٠Më datë 30.07.2019, Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Gjithashtu, për të ka informacione në rrugë operative se kryente veprimtari kriminale edhe në fushën e narkotikëve.
Top Channel