Bordi për monitorimin e produkteve të shportës ka përcaktuar çmimet e reja për orizin, miellin dhe sheqerin.

Sipas vendimit të tij, orizi do të shitet për 101 lekë kg, 8 lekë më pak nga sa ishte.

Rënie me rreth 17 lekë ka shënuar edhe çmimi i sheqerit dhe qytetarët do ta blejnë atë në markete dhe supermarkete për 104 lekë/kg.

Ndërsa miellin do ta blejnë më shtrenjtë pasi me vendimin e fundit ky produkt do të shitet për 90 lekë/kg, nga 79 lekë që ishte.

Ndërsa për vajin një nga produktet më të shtrenjta të shportës, ndryshe nga vendimet e mëparshme Bordi njofton se nuk do të përcaktojë më një çmim tavan, e argumentin se sipas tij çmimet e blerjes nga importuesit janë të ndryshme.

Me vendimin e fundit Bordi përcaktonte çmimin e vajit 381 lekë litre, por ky produkt tregtohet edhe më shtrenjtë për konsumatorët.

“Për shkak se operatorë të ndryshëm kanë diferenca të ndjeshme në çmimet e blerjes në import të vajit të lulediellit, nuk do të aplikohet kosto mesatare e monderuar e zhdoganimeve dhe nuk do të përcaktohet çmim i unifikuar shitje nga çdo subjekt, por çdo importues i vajit të inbotiluar apo importues vaji që e inbotilon dhe e paketon në vend, do të aplikojë marzhin e lejuar mbi koston e importimit të produktit të tyre sipas deklaratës doganore”, shkruan Bordi i Transparencës për produktet ushqimore.

Vendimi i bordit hyn në fuqi nga 10 qershori dhe këto çmime janë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të tij.

Qeveria ka miratuar tashmë një linjë garancie sovrane prej 3 miliardë lekë për importuesit e produkteve ushqimore për të garantuar mbajtjen e rezervave të sigurisë për një periudhë 3-mujore.

Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte dhe në rast shkelje ata do të përballen me gjoba.

Çdo operator ekonomik i tregtimit të produkteve të mëposhtme, qoftë importues, tregtar me shumice, transportues apo tregtar me pakicë, është i lirë që të aplikojë çmime më të ulta mbi këto produkteve se sa ato të vendosura nga Bordi.

Subjektet e shumicës që nuk respektojnë vendimet e bordit do të penalizohen me gjoba deri 10 milionë lekë, ndërsa për tregtarët e vegjël masa administrative do të jetë 2 milionë lekë. Përsëritja e shkeljeve do të dënohet me mbyllje të aktivitetit deri në sekuestrimin e mallit.

Vendi ynë prej muajsh tashmë është përballur me rritje të çmimeve të produkteve bazike për jetesën dhe hidrokarbureve, naftës, benzinës dhe gazit.

Kjo situatë vjen pas rritjes së çmimeve ndërkombëtare, si pasojë e luftës në Ukrainë e cila nisi më 24 shkurt të këtij viti.

Top Channel