17 të vdekur e 50 të plagosur është bilanci i aksidentit të rëndë hekurudhor që tronditi Iranin mëngjesin e sotëm. Një tren që transportonte rreth 350 pasagjerë doli nga shinat, por detajet rreth fatkeqësisë nuk janë zbardhur ende plotësisht. Autoritetet druhen se bilanci i viktimave mund të rëndohet akoma edhe më shumë.

Katër nga shtatë vagonët e trenit dolën nga shinat pranë qytetit Tabas, njoftoi televizioni shtetëror Iranian. Ekipet e shpëtimit me ambulanca dhe helikopterë kanë në këtë zonë të largët ku komunikimi është mjaft i dobët.

Të paktën 16 persona kanë në gjendje kritike për jetën, pohuan zyrtarë lokalë të cilët thanë se një pjesë e të lënduarve janë shtruar në spitale të zonës. Aksidenti është nën hetim.

Sipas disa raporteve fillestare  treni u përplas me një ekskavator pranë binarëve, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë se përse ndodhej aty një mjet i tillë.

Fatkeqësia më e rëndë hekurudhore në Iran mbetet ajo e vitit 2004, kur një tren i ngarkuar me karburant, plehra kimikë, squfur dhe pambuk u përplas pranë qytetit historik të Neyshaburit, duke vrarë rreth 320 persona, duke plagosur 460 të tjerë dhe duke dëmtuar pesë fshatra.

Top Channel