Zjarri në ishullin e Sazanit, Muhamed Veliu në Top Story: Efektivët ‘të armatosur’ vetëm me gjethe pemësh e lopata

07/06/2022 21:10

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu në një lidhje live për Top Story nga Vlora tregoi situatën e rëndë në ishullin e Sazanit, i cili ishte pushtuar nga flakët prej katër ditësh.

“Ata ishin të armatosur vetëm me gjethe pemësh, lopata e hunj, për të shuar këtë zjarr masiv, nga viti ‘97 kuturu kanë mbetur predha që kanë mbetur pa shpërthyer. Sipas informacioneve, ka pasur edhe shpërthime predhash. 122 persona që janë përfshirë në shuarjen e flakëve, janë heronj pasi kanë shkuar për të shuar zjarrin pa mjete. Shqipëria është vend i NATO-s por nuk i ka kapacitetet. Lind pyetja, me çfarë kapacitetesh teknike mund të përfaqësohet Shqipëria nëse ka një përmbytje në Maqedoni apo Mal të Zi?”, tha Veliu.

Vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit janë neutralizuar vetëm pas katër ditësh dhe falë ndërhyrjes së avionit “Canadair CL 415”, i ardhur si mbështetje nga Greqia.

122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete dhe dy anije u angazhuan në operacionin e nisur tri ditë më parë për të shuar flakët.

Situata në ishullin e Sazanit është nën kontroll,  ndërsa puna vijon për të shmangur totalisht mundësinë e rindezjes së flakëve për shkak edhe të bimësisë së dendur.

Prej katër ditësh një re ngrihej mbi ishullin më të madh të Shqipërisë, ndërsa dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar. Një rrezik evident në ishull ishin edhe municionet e mbetura të cilat mund të shpërthenin nga nxehtësia.

Kujtojmë se ishulli i Sazanit është shtëpi për 16 specie të rralla, tre prej tyre amfibësh dhe 13 zvarranikësh.

Top Channel