Prodhim i kundërligjshëm kriptomonedhash, drogë dhe kafe kontrabandë, në pranga 31-vjeçari në Durrës

07/06/2022 16:15
Foto ilustruese

Një 31-vjeçar me emrin Abdyl Kacaca është vënë në pranga ditën e sotme në Durrës pasipërshtati lokalin për përdorim të lëndëve narkotike dhe për gjenerim të kriptomonedhave (Bitcoin).

Në lokalin në pronësi të 31-vjeçarit Abdyl Kacaca u gjet edhe një sasi kafeje e dyshuar si e kontrabanduar.
Ndaj tij janë ngritur një sërë akuzash për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit Abdyl K., në lagjen nr. 4 Durrës, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, rreth 260 gram lëndë e dyshuar narkotike marijuanë, 18 pajisje që shërbejnë për gjenerimin e kundërligjshëm të kriptomonedhave, sasi kafeje të dyshuar të kontrabanduar, një sasi të vogël lëndë të dyshuar narkotike kokainë, tri peshore elektronike dhe një shkop bejsbolli.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel