Parandalohet përshkallëzimi i konfliktit në Vlorë/ Kërcënoi me armë zjarri fqinjin, në kërkim 58-vjeçari

07/06/2022 16:27

Një konflikt që mund të kishte pasoja fatale është parandaluar ditën e sotme në Selenicë të Vlorës falë ndërhyrjes së menjëhershme të policisë.

Një 58-vjeçar me inicialet F.K është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin N. Xh., 68 vjeç, banues në Karbunarë, dhe e kishte kanosur atë me armë. 58-vjeçari, sapo ka evidentuar mbërritjen e shërbimeve të Policisë në vendngjarje, ka hedhur armën e zjarrit dhe është larguar me automjetin e tij tip “Benz”.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Hetimit të Krimit të Stacionit të Policisë Selenicë shpallën në kërkim shtetasin F. K., 58 vjeç, banues në fshatin Karbunarë, Selenicë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit automatik dhe një sasi municioni luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel