Vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit dhe Mirditë janë neutralizuar pas ndërhyrjes nga toka dhe ajri.

122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete dhe dy anije u angazhuan në operacionin e nisur tri ditë më parë për të shuar flakët.

Mëngjesin e sotëm nisi edhe ndërhyrja nga ajri. Forcave në terren iu bashkua edhe avioni Canadair CL 415, i ardhur si mbështetje nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

Situata në ishullin e Sazanit është nën kontroll,  ndërsa puna vijon për të shmangur totalisht mundësinë e rindezjes së flakëve për shkak edhe të bimësisë së dendur.

Ndërkaq 54 efektivë të FA iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e vatrës së zjarrit në njësinë administrative Orosh të Mirditës. Në operacionin u bë e mundur shmangia e përhapjes së flakëve pranë banesave.

Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohjen për punën e të gjithë ekipeve të angazhuara dhe u bën thirrje qytetarëve, turistëve që këtë sezon pritet të jenë të shumtë të bëjnë kujdes, pasi kjo  verë parashikohet të jetë e nxehtë dhe rreziku nga zjarret mbetet evident.

Prej katër ditësh një re ngrihej mbi ishullin më të madh të Shqipërisë, ndërsa dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar. Një rrezik evident në ishull ishin edhe municionet e mbetura të cilat mund të shpërthenin nga nxehtësia.

Kujtojmë se ishulli i Sazanit është shtëpi për 16 specie të rralla, tre prej tyre amfibësh dhe 13 zvarranikësh.

Top Channel