Një zyrë në pronësi të noterit Aleko Anagnostini është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm.

Zjarri në zyrë ka rënë disa ditë pasi avokati është i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Sarandës, më datën 1 qershor. Gjykata ka vendosur dy ditë më parë për noterin “Arrest në burg” me afat 45 ditë.

Ndërkohë disa persona ende të paidentifikuar, i kanë vënë zjarrin zyrës duke djegur kështu të gjithë dokumentat që kishte brenda.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Për çfarë akuzohet avokati Aleko Anagnostini?

Noteri Aleko Anagnostini, dyshohet se ishte i përfshirë në skemën e tjetërsimit të 10 mijë metra katrorë tokë buzë detit në Sarandë, që duhet të ishin pronë shtetërore por dyshohet se u tjetërsuan dhe u kthyen në kantier ndërtimi.

Nisur nga ky fakt Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimin në finalizim të të cilit u lëshuan 10 urdhër-arreste për zyrtarë të bashkisë, Kadastrës dhe biznesmenë që kishin ndarë mes tyre tokën shtetërore.

I dyshuar për shpërdorim detyre e tjetërsim pronash u arrestua Pandi Zhonga, drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës së bashku me juristen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Rovena Alikaj.

Hetimet zbuluan se toka shtetërore e pozicionuar buzë detit në zonën e quajtur kanali i Çukës në Ksamil nëpërmjet falsifikimit të dokumentave u nda në persona të tjerë të cilët më pas e shfrytëzuan për ndërtim.

Burime për Top Channel thanë se përveç zyrtarëve nën hetim janë edhe personat që kanë përfituar nga ky tjetërsim pronash. Policia ka ekzekutuar 5 urdhër-arreste ndërsa 5 persona të tjerë janë në kërkim.

 

Top Channel