Në 6 lindje ka një abort. Në 5 vite nga periudha 2016-2020 sipas raportit më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik janë kryer rreth 26 000 aborte kryesisht nga gra të moshës 20-34 vjeç.

Mjekët gjinekologë shpjegojnë se shtatzënitë e padëshiruara që sjellin abortet kanë pësuar rënie vit pas viti, për shkak të ndryshimit të mendësisë së grave ku kohët e fundit po i japin rëndësi metodave të planifikimit familjar.

Abortet gjatë viteve 2016-2020 :

Viti 2016: 7.8 aborte për 1000 gra 15-49 vjeç

Viti 2020: 6.7 aborte për 1000 gra 15-49 vjeç

“Gratë po kuptojnë se duhen të marrin masa mbrojtëse për shtatzënitë e padëshiruara dhe të planifikojnë se sa fëmijë duan të bëjnë e kur”, tha gjinekologia Mimoza Keta.

Aborti në Shqipëri u bë i ligjshëm në vitin 1995, por duhet të kryhet vetëm kur është i nevojshëm për shkak të problemeve shëndetësore apo keqformimit të bebes, por fenomeni i aborteve te adoleshentët mbetet shqetësues.

Edhe pse të dhënat e ISHP-së tregojnë se gjatë 2020 kanë abortuar vetëm 105 të rinj të moshave 14-19 vjeç, gjinekologët tregojnë se numri mund të jetë më i lartë për shkak të fshehjes së tyre.

“Ka klinika private që nuk tregojnë se kryejnë aborte. Shqetësues është aborti te adoleshentët”, tha ajo.

Përqindja më e madhe e aborteve rezulton te gratë me arsim të ulët, të cilat nuk janë të punësuara. Ndërkohë mjekët theksojnë se pandemia e Covid-19 ndikoi në trendin rënës të aborteve, bazuar te shmangia e kontakteve, distancimi si dhe pasiguria ndaj sëmundjes e vaksinës.

Top Channel